Vangjel Tavo është emëruar nga kryeministri Edi Rama si prefekt i qarkut të Vlorës, duke zëvendësuar në këtë post Flamur Mamajn. Vendimi për Tavon është marrë në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Tavo ka qenë deputet i qarkut të Gjirokastrës nga radhët e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, por nuk e ka fshehur asnjëherë simpatinë e ndërsjelltë me kryeministrin Edi Rama.
Por kjo lëvizje mund t’i kushtojë shtrenjtë Edi Ramës, njësoj si rasti i Lefter Kokës, ish-besnikut të Ilir Metës, i cili ndodhet tashmë në burg pasi u bë deputet në siglën e Partisë Socialiste.
E themi këtë pasi Vangjel Tavo është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për lobimin me para të pista të ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në materialin e referuar në SPAK po hetohet Ilir Meta, bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, Pwtrit Vasili, ish deputeti Vangjel Tavo dhe Iraklis T. Fidetzis, administrator i kompanisë Dorelita Limited me seli në Qipro, përfshirë në skemën e lobimit në vitin 2017, për llogari të Metës dhe LSI, me para të padeklaruara.
Detajet
Si fakt në dosjen e Metës referohet një kontratë e kompanisë McKeon Group me LSI-në dhe Ilir Metën, e datës 6 janar të vitit 2017, kohë gjatë të cilës Meta ishte ende kryetar i LSI-së.
Kontrata kishte si objekt lobimin në SHBA për pjesëmarrjen e Metës në inaugurimin e Presidentit Trump në vitin 2017, planifikimin e takimeve të Metës me liderë në Uashington përgjatë inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Trump si dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira dhe speciale me administratën e ardhshme dhe Kongresin.
Kontrata ka një kohëzgjatje 6 mujore dhe vlera totale që parashikon është 90 mijë USD. Personi i autorizuar për të lidhur kontratën dhe për të përfaqësuar Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Ilir Metën me shoqërinë McKeon Group është Iraklis T. Fidetzis, një personazh i dyshimtë që del në pah në disa kontrata të tjera lobuese, me vlerë qindra mijëra USD, gjithashtu të padeklaruara në Shqipëri.
Kontrata nuk qartëson mënyrën e transferimit të parave, por nuk ka asnjë dyshime se paratë janë shpenzuar, por që nuk janë deklaruar nga LSI-ja në shpenzimet vjetore në KQZ dhe as Meta në deklaratën e pasurisë të vitit 2017.
Është pikërisht ky fakt, pra fshehja e shpenzimeve me para që nuk u dihet burimi, që rrezikon Ilir Metën jo vetëm të merret i pandehur, por edhe që mund të arrestohet. Deri më tani, Ilir Meta as nuk ka denjuar për të sajuar një alibi se pse nuk i ka deklaruar paratë e shpenzuara për lobim as në KQZ dhe as në ILDKPKI, siç e parashikon ligji sipas rastit!
Meta del zbuluar
Kompanitë amerikane të lobimit kanë për detyrë të deklarojnë kontratat dhe të ardhurat që përftojnë nga lobimet që ato bëjnë në website-in e (FARA). FARA është homologu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri. Detyrimi i kompanive lobuese është vetëm të deklarojnë të ardhurat që i vijnë, por logjikisht jo sesi janë përftuar këto të ardhura nga kontraktuesi. Kompania McKeon Group i ka deklaruar kontratat me LSI-në dhe Ilir Metën në FARA dhe në Departamentin e Drejtësisë Uashington. Ky fakt vërteton edhe një herë shpenzimin e bërë nga Ilir Meta, të cilin e ka fshehur në Shqipëri.
Roli i Vangjel Tavos dhe si “e shiti” Meta
Personi që ka lidhur Ilir Metën me administratorin e kompanisë offshore Dorelita Limited, Iraklis T. Fidetzis është Vangjel Tavo, ish deputet i LSI-së. Roli i Tavos është konfirmuar nga vetë LSI-ja gjatë një reagimi për gazetën amerikane Mother Jones, e cila në 25 Prill 2018 publikoi një artikull për lobimet e LSI-së në SHBA.
“LSI mohon çdo lidhje me Dorelitën. Një zëdhënës i partisë tha se kishte “zero kontakte me kompaninë dhe zero njohuri për” kompaninë. Zëdhënësi vuri në dukje se një anëtar i shquar i partisë, Vangjel Tavo, e kishte lidhur partinë me Fidetzis dhe se më vonë Tavo miratoi pagesën prej 15,000 dollarësh nga LSI për McKeon Group…”, thuhet në artikull.
Pra Meta i “lau duart” me Tavon duke thënë se Mother Jones për një gjë të tillë duhet të pyesë veten Tavon nëse ka qenë për vizitë private në atë periudhë./ Elmas Bogdani