Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor ndaj gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu.
Kryetarja e KLGJ Naureda Llagami tha gjatë mledhjes se KLGJ vendosi pranimin e masës disiplinore për uljen e pagës në masën 20%, për një periudhë prej 6 muajsh.
Kërkesa e ILD-së është depozituar në KLGJ me 28 korrik, ndërkohë që inspektimi disiplinor ndaj Fetahut ka filluar në vitin 2017, pas publikimit të disa video përgjimesh të një qytetari me gjyqtaren dhe një punonjës policie nga emisionit ‘Stop’ në TV Klan.
Në videon e transmetuar me 31 janar 2017, magjistratja akuzohet se ka marrë 2 mijë euro rryshfet për uljen e dënimit ndaj një të burgosuri.
Pas publikimit të videos, ish-Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedim penal ndaj gjyqtares dhe Gjykata për Krime të Rënda ka vendosur pezullimin e saj nga detyra. Pasi Prokuroria për Krime të Rënda e ka pushuar procedimin për korruspion ndaj gjyqtares dhe ky vendim është miratuar nga gjykata, ILD e ka rifilluar hetimin disiplinor.
Bazuar në vendimin e gjykatës, ILD ka konstatuar se edhe pse nuk provohet se gjyqtarja ka kryer akte korruptive, nga hetimi janë konfirmuar akte dhe sjellje diskredituese për figurën e magjistrates.
Në kërkesën për procedimin e gjyqtares ILD shprehet se ajo ka zhvilluar takime jashtëgjyqësore me një palë ndërgjygjesë dhe ka përdorur shprehje te papërshtatshme për një gjyqtare, duke cënuar besimin e publikut tek drejtesia.
Sipas ILD-së Fetahu gjithashtu ka shkelur “normat e etikës së komunikimit me publikun.” ILD kishte propozuar si masë disiplinore ndaj Fetahut uljen e pagës në 40% për 1 vit.