Humb jetën në moshën 39-vjeçare mësuesi i Muzikës në Durrës, Andi Bajraktari.Mësohet se shkak për ndarjen e parakohshme nga jeta është bërë një atak në zemër.
Lajmin e trishtë e japin familjarët dhe miqtë e Andit, të cilët shprehen me hidhërim se u pre në mes jeta e një njeriu dhe artisti kompozitor me shpirt të madh.
Andi Bajraktari ishte kompozitor dhe mësues prej 10 vitesh në shkollën e mesme artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës dhe gjithashtu ishte lektor në Universitetin e Durrësit.
Ai ishte baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze dhe vetëm dy javë më parë erdhi në jetë vajza e tij e vogël.
Nga BUJAR QESJA
Jam pa fjalë. Fryma po më meket, e zemrës së dobësuar po i jap kurajo. Nuk mbajmë më, nuk mbajmë! Me 6 mars 2023, lindi vajza me emrin Melodi. Dhe brenda një dhjetëditëshi, do të ndodhte gjithçka, e mira e përzier me dhimbjen, duke përbërë aliazhin më të çudtshëm, të një absurdi të pashpjegueshëm. Me 13 mars 2023, të urova për 39 vjetorin e lindjes. Me 16 mars 2023 dhe shpirt në prag të derës. Zemra u ndal pas goditjes akute, që jemi mësuar ta quajmë: infarkt akut i miokardit.
Çtë qe kjo rrufe?! Çtë qe kjo gjëmë o Pëllumb, o Hyri, o Hatixhe, o Arba Bajraktari?! Noeli, i lindur me 4 tetor 2019, priste babain e dashur. Gjumi nuk po e zinte, sepse ishte mësuar, që Andi ta puthte në dy faqet para se të shkonte të flinte. Dhe Melodia 10 ditëshe, po qante më shumë se zakonisht. Andit të qarat e së bijës disa ditëshe, i dukeshin si simfonitë e ardhshme, ku ai do t’i lyente me talentin e krijuesit befasues.
Ku ta dinte Melodia, se e qara e asaj nate, do të ishte nga piskamat më të merrshme, që kur t’ia kujtojnë pasi të rritet, mund të ketë arsyje më shumë, për të vazhduar zanatin e babait që e donte më shumë se veten. Melodia do të vazhdojë me siguri, atë melodi të lënë në gjysmë të rrugës nga Andi Bajraktari.
Natë e ftohtë kjo e 16 marsit 2023. Natë, që nuk mund t’a ndaje nga dimri. Pranvera ende nuk guxon të vendosë forcën e saj, ndaj një dimëri që në ikje mund të bëj më shumë dëm se sa në ardhje. Dhe na e bëri. M’u tek pragu i shtëpisë, ku mezi priste të takonte Arbën e shtrenjtë, të puthte dy engjëjt e jetës së tij dhe t’iu bënte përshëndetjen e zakonshme nënës dhe babait, krejt papritur, sikur të ish një dorë tinzare e godet Andin tonë. Për herë të fundit shtrin fort duart, duke i zgjatur aq sa t’i dilnin, për t’i përqafuar të gjithë, të gjithë për të fundit herë.