Londra është goditur këtë të diel nga një valë e madhe përmbytjesh. Kësisoj, rrugët, metrotë dhe ambiente të tjera të kryeqytetit anglez i janë “dorëzuar” fuqisë së ujit.
Autoritetet kanë këshilluar qytetarët që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa kanë shtuar se shira të rrëmbyeshëm pritet të ketë dhe gjatë të hënës.
Ekspertët kanë paralajmëruar se disa biznese rrezikojnë të përmbyten, me shira që pritet të mbërrijnë deri në 55 mm.
“Nuk kam parë kurrë një përmbytje të tillë. E pabesueshme, të gjitha gjërat janë zhytur në ujë. Nuk kam parë asnjëherë një nivel të tillë përmbytjesh në Londër”, tha një qytetar.
Kujtojmë që ditët e fundit, Evropa Perëndimore është goditur nga përmbytje të shumta.
Në Gjermani e Belgjikë, por jo vetëm, janë regjistruar qindra viktima nga përmbytjet si dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur. Dëmet ishin të konsiderueshme, ndërsa kryetarët e shteteve u zotuan për rimëkëmbje të gjendjes së krijuar.