Dy ekspertë të lartë të Shteteve të Bashkuara për koronavirusin siguruan amerikanët të dielën se vaksinat kundër pandemisë së shpejti do të bëhen të disponueshme, por paralajmëruan që mosmarrja e masave paraprake kundër përhapjes së virusit para asaj kohe, mund të jetë me pasoja katastrofike.
“Mendoj se do të kemi vaksina të mjaftueshme deri në fund të vitit për të imunizuar 20 milion amerikanë.
Por populli amerikan duhet të bëjë atë që duhet derisa ajo vaksinë të jetë e shpërndarë gjerësisht”, tha për CNN Admirali Brett Giroir, kreu i testimieve për virusin në Shtëpinë e Bardhë.”
Admirali Giroir i cilësoi dy vaksina të mundshme, të cilat tani janë nën shqyrtimin e Administratës Amerikane për Ushqimin dhe Barnat, si “shpëtimtare për jetën”, duke shtuar se “kjo i jep fund pandemisë.”
Por deri atëherë, tha ai, “populli Amerikan duhet të bëjë veprimet e duhura derisa sa ajo vaksinë të mund të shpërndahet gjerësisht, të mbajmë maskë, të shmangim hapësirat e mbushura me njerëz, të gjitha gjërat që i dini.”
Admirali Giroir tha se ai beson se do të ketë një “tranzicion të qetë, profesional” në trajtimin e shpërndarjes së vaksinave nga administrata e Presidentit në largim Donald Trump tek ajo e Presidentit të zgjedhur Joe Biden kur ai të inaugurohet më 20 Janar.
Dr. Anthony Fauci, eksperti kryesor për sëmundjet infektive të vendit, duke folur për emisionin “This Week” në ABC, tha se “ndihma po vjen” dhe se sasia fillestare e vaksinave mund të jetë e disponueshme nga mesi i dhjetorit.
Dr. Fauci tha se ekspertët e shëndetit “e kuptojnë lodhjen” e amerikanëve me masat për parandalimin e ekspozimit ndaj virusit. Por ai tha se mbajtja e maskave të fytyrës dhe respektimi i distancimit fizik “kanë efekt”.
Miliona Amerikanë kufizuan grumbullimet e tyre tradicionale familjare për festën vjetore të Falënderimeve të enjten e kaluar, megjithatë miliona të tjerë injoruan paralajmërimet e ekspertëve të kujdesit shëndetësor kundër udhëtimeve për të vizituar të afërmit.
“Shqetësohem se e njëjta gjë” do të ndodhë me udhëtimin e njerëzve – me rrezikun e përhapjes së virusit – për vizitat e Krishtlindjeve me familjet e tyre, tha Dr. Fauci.
Ai tha se grumbullimi i njerëzve paraqet “një rrezik të konsiderueshëm”.
Dr. Fauci u bëri thirrje zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë “të mbyllin baret, të mbajnë shkollat e hapura”, për të mbajtur “nivelin e ulët të përhapjes në komunitet”.
“Le të përpiqemi t’i rikthejmë fëmijët dhe le të përpiqemi t’i largohemi aktiviteteve që ruajnë ose shtojnë atë nivel përhapjeje të viusit në komunitet së cilit po përpiqemi t’i shmangemi,” tha zoti Fauci.
Vlerësimet erdhën ndërsa Shtetet e Bashkuara kapërcyen 13 milion raste të konfirmuara të premten, vetëm gjashtë ditë pasi arriti në 12 milion raste.
Virusi shumë i transmetueshëm që shkakton sëmundjen COVID-19 ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 266,000 amerikanëve, më shumë se në çdo vend tjetër, sipas Universitetit Johns Hopkins.
Më shumë se 91,000 individë të infektuar janë aktualisht të shtruar në Shtetet e Bashkuara një rekord i të gjitha kohërave, me më shumë se 18,000 në njësitë e kujdesit intensiv./VOA