Europa Conference League mbylli mbrëmjen e kësaj të enjte raundin e tretë të fazës së grupeve, me sfida që dhuruan spektakël golash.
Fiorentina siguron fitoren e parë në fazën e grupeve të Europa Conference League dhe atë e bën ndaj Cukaricki-t, të cilin e mundi me rezultatin 6-0.
Italianët dominuan gjithë takimi, me golin e parë që u realizua në minutën e 6’ nga Beltran, i cili vetëm katër minuta më pas gjeti sërish rrugën drejt rrjetës, duke dyfishuar avantazhin e ekipit të Italianos.
Në minutën e 29’ Ikone realizoi golin e tretë për Fiorentinën, teksa nëminutën e 36’ skuadra serbe mori një tjetër goditje, pasi Subotic u ndëshkua me karton të kuq dhe la ekipin e tij me dhjetë lojtarë.
Vendasit vazhduan me sulmet, me Sottil që bëri “poker” për Fiorentinën në minutën e 65’, ndërsa Martinez Quarta realizoi golin e pestë të ekipit të tij në minutën e 73’. Në fund takimi u vulos nga Lopez që realizoi golin e gjashtë në minutën e 83’ dhe u shkaktoi “tërmet 6 ballësh” serbëve të Cukaricki-n.
Pas takimit të tretë të fazë së grupeve të Conference League, Fiorentina kryeson Grupin F me pesë pikë, teksa Cukaricki qëndron në vend të fundit me zero pikë.
Entracht Frankfurt fiton me plot gjashtë gola ndaj HJK, në një sfidë që e dominoi të gjithën.
Skuadra gjermane zhbllokoi takimin në minutën e 12’ me Dina Ebimbe, teksa në minutën e 27’ Koch realizoi golin e dytë për skuadrën e tij.
Pjesa e parë solli edhe dy gola të tjerë për vendasit me Marmoush në minutën e 31’ dhe Tuta në minutën e 45+3’.
Në pjesën e dytë u realizuan edhe dy gola të tjerë po nga Frankfurt me Skhiri në minutën e 55’ dhe në fund, në minutën e 89’ Dina Ebimbe vulosi rezultatin 6-0.
Pas kësaj ndeshje Frankfurt renditet në vend të dytë të Grupit G me gjashtë pikë, teksa HJK qëndron në vend të fundit me një pikë.
Sfida e dytë e Grupit C, ku ndodhet edhe Ballkani, ajo mes Dinamo Zagreb dhe Viktoria Plzen u mbyll me fitoren 0-1 të skuadrës çeke, që kryeson grupin me pikë të plota pas tre ndeshjeve të para.
Kjo ndeshje ishte shumë e luftuar, me golin e vetëm që u realizua nga Chory në minutën e 69’, i cili shënoi me penallti.
Pas ndeshjes së tretë të fazës së grupeve, Plzen kryeson Grupin C me nëntë pikë, tekska Dinamo Zagreb, Ballkani dhe Astana ndodhen respektivisht në vend të dytë, tretë dhe katërt me nga tre pikë secili.