Çmimet e banesave kanë vijuar rritjen edhe në gjysmën e parë të këtij viti. Sipas Bankës së Shqipërisë, Indeksi Fischer i çmimit të banesave u rrit me 0.7% krahasuar me 6-mujorin e kaluar dhe me 6.7% krahasuar me një vit më parë. Megjithëse rritja e çmimeve vazhdon, sipas të njëjtit burim, ajo është ngadalësuar krahasuar me periudhën e mëparshme të matur.
Në 6-mujorin e dytë 2020, çmimet e banesave u rritën me 6.2% krahasuar me 6-mujorin e mëparshëm dhe me 11.3% me bazë vjetore. Krahasuar me periudhën bazë të vrojtimit, vitin 2013, çmimet e banesave në Shqipëri janë rritur me 49.4%.
Tendenca e rritjes së çmimeve të banesave ka vijuar edhe për tregun më të madh të pronave në vend, atë të Tiranës. Çmimet e banesave në kryeqytet u rritën me 3.4% krahasuar me 6-mujorin e dytë 2020 dhe me 5.8% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar. Megjithatë, edhe për Tiranën rritja vjetore e çmimeve paraqitet më e ngadalësuar, po të kemi parasysh se për gjysmën e dytë të vitit 2020 kishte qenë 8.9%. Krahasuar me vitin 2013, çmimet e banesave në Tiranë janë rritur me 51.7%, më shumë se mesatarja kombëtare.
Edhe vrojtimi i radhës i Bankës së Shqipërisë konfirmon se çmimet vazhdojnë të rriten, ndonëse me ritme disi më të ngadalta krahasuar me vitin 2020. Pavarësisht pasigurive të lidhura me pandeminë, agjentët dhe firmat e ndërtimit të anketuara, raportuan përmirësim të mëtejshëm të tregut. Ky përmirësim, përveç rritjes së mëtejshme të çmimeve, dëshmohet edhe nga rënia e numrit të pronave të pashitura. Ndërkohë, koha mesatare e raportuar për shitjen e një prone ka mbetur afërsisht e pandryshuar krahasuar me 6-mujorin e mëparshëm dhe raportohet rreth 10.5 muaj në nivel kombëtare dhe 9.6 muaj për Tiranën.
Në perceptimin e aktorëve të tregut, kredia bankare ngelet një faktor i rëndësishëm në mbështetjen e kërkesës. Edhe statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë rritje me ritme të shpejta të kredisë për blerjen e pronave nga individët. Në mesin e këtij viti, portofoli arriti vlerën e 140 miliardë lekëve, në rritje me 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas agjentëve, afërsisht gjysma e transaksioneve në tregun e pronave për këtë gjahstëmujor janë financuar me kredi bankare.
Edhe për sa i takon ofertës, Banka e Shqipërisë evidenton se kredia për ndërtim shënoi rrritje, si ndaj gjashtëmujorit të mëparshëm, ashtu edhe kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2020. Një tjetër tregues i ofertës, numri i lejeve të ndërtimit, për 6-mujorin e parë të këtij viti u rrit me 52% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në pritshmëritë e tyre për të ardhmen, agjentët kanë shprehur optimizëm të moderuar për rritjen e ttregut në të ardhmen e afërt dhe optimizëm akoma më të lartë për ecurinë e tij në periduhën afatgjatë.
Informacioni mbi ecurinë e çmimeve dhe vlerësimin e situatës në tregun e pasurive të paluajtshme merret nëpërmjet vrojtimit në terren të një kampioni të përbërë nga 230 subjekte, që kanë si aktivitet kryesor tregtimin e pronave të paluajtshme dhe ndërtimin, shitjet e të cilave përfaqësojnë rreth 75%-80% të xhiros së tregut./Monitor