Giorgio Chiellini është kthyer në më të mirën e tij. Kthehet përsëri në “Wembley”, për t’u ndeshur me Anglinë. Ai ishte atje, mos harroni, kur “Wembley” i ri u hap, më 24 mars 2007, në barazim 3-3 midis Anglisë U-21 dhe homologëve italianë. Të themi të vërtetën, ai nuk e kishte ndeshjen më të mirë atë, pa dyshim për faj të golit të dytë të nikoqirëve, kur nuk arriti të shmangte një top të Matt Derbyshire për Wayne Routledge.
Por, edhe para asaj ndeshjeje, ai tashmë iu kishte treguar të gjithëve se çfarë mund të bënte. Gjatë pjesës së parë u lëndua, me gjakun që i rridhte nëpër fytyrë, pasi u godit nga një takë këpuce e kundërshtarit. Ky mbetet një nga imazhet përcaktuese të karrierës së tij. Koka e tij ishte fashuar, por ai u kthye menjëherë në fushë. Ishte e qartë se bëhej fjalë për një luftëtar, plotësisht i përkushtuar për kauzën.
Ai ishte një lojtar tjetër atëherë, natyrisht, një mbrojtës i majtë i fuqishëm, që i pëlqente të dilte përpara. Kjo ishte mbase e papritur. Ai nuk pëlqen ta pranojë tani si një simbol i Juventusit, por Chiellini kishte bërë tifo për Milanin kur ishte fëmijë. Kishte idhull Paolo Maldini. Në të vërtetë, megjithatë, ai nuk dukej dhe as nuk luajti në mënyrë elegante si Maldini. Ama, Chiellini nuk mund të karakterizohet kurrë si një lojtar brutal.
Plot 15 vite në majë janë shumë, pa qenë i zgjuar nuk ia del dot në futboll. Pra, Chiellini është një nga lojtarët më inteligjentë, në çdo kuptim. Si folës i rrjedhshëm i anglishtes, Chiellini fitoi një diplomë për ekonomi dhe tregti, para se të siguronte një master në administrim biznesi, më 2017. Ai ka provuar ekspertin në menaxhimin e karrierës së tij, gjithashtu.
Siç vuri në dukje ish-trajneri i Juventusit, Fabio Capello, kur Chiellini filloi të humbasë disa nga hapat e tij, përsosi aftësitë si mbrojtës qendror dhe formoi treshen legjendare të Juves ,’BBC’, së bashku me Leonardo Bonucci dhe Andrea Barzagli. E bëri këtë duke qenë më i zgjuar në lëvizjen e tij.
Në fund të fundit, një jetëgjatësi e tillë e jashtëzakonshme nuk mund t’i atribuohet thjesht llojit të forcës fizike mbresëlënëse që e shtyu njeriun-mal, Zlatan Ibrahimovic, ta quajë Chiellini si kundërshtarin e tij më të ashpër ndonjëherë. Chiellini, natyrisht, ka kohë që i përgjigjet personalitetit të tij. Pasi festoi një gol vendimtar në Torino për Juventusin, duke rrahur me egërsi gjoksin e tij, mori pseudonimin “King Kong”.
Giorgio jo vetëm e bëri jetën një makth për sulmusit kundërshtarë, por torturoi edhe shokët e tij të skuadrës në stërvitje, me qendërsulmuesin e Juves, Alvaro Morata, duke i thënë “El Pais” se dyluftimi me Chiellini është “si të futesh në një kafaz me një gorillë dhe duhet të vjedhësh ushqimin e tij”.
Megjithatë, kjo lloj këmbënguljeje përfundimisht e bën vetën, Chiellini filloi të shfaqet gjithnjë e më pak për Juven gjatë sezonit të kaluar. Mbërritja e Matthijs de Ligt ishte një siguri, por shqetësonte fakti që Chiellini mënjanohej vazhdimisht nga dëmtimet e dyshimta. Në mënyrë të qartë, megjithatë, trajneri i Italisë, Roberto Mancini, as nuk donte ta mendonte lënien e mbrojtësit veteran jashtë skuadrës së tij të “Euro 2020”.
“Ai nuk ka nevojë të vlerësohet, – tha Mancini për “Gazzetta dello Sport” në janar. – E gjithë ajo që ka rëndësi është se po luan dhe duket mirë. Për ne, Chiellini është thelbësor, gjithashtu si një pikë referimi në dhomën e zhveshjes për një skuadër të re. Dhe në momentin që ai shkel në fushë, ju tashmë e dini që do të japë gjithçka”.
Kjo ishte e qartë për këdo në “Wembley” në vitin 2007. Sigurisht, paraqitja e tij e radhës në shtëpinë e futbollit anglez do të jetë edhe më sfiduese fizikisht; një sprovë shumë më e madhe e përzierjes së qëndresës dhe inteligjencës tek ai. Anglia mund të mos jetë skuadra më rrjedhëse, dinamike në futbollin botëror (“ata nuk janë të lehtë për syrin”, siç shprehet Chiellini), por mburret me një bollëk të sulmuesve të rinj e të shpejtë.
Raheem Sterling dhe Bukayo Saka mund t’i shkaktojnë Chiellini 36-vjeçar të gjitha llojet e problemeve me ritmin dhe lëvizjen e tyre. Mos harroni, Chiellini tashmë i ka humbur dy ndeshje në Europian për shkak dëmtimi. Ish-shefi i Milanit, Arrigo Sacchi, ndjeu se pa tek ai disa shenja shqetësuese të lodhjes gjatë fitores së gjysmëfinales së të martës ndaj Spanjës.
Kjo do të ishte plotësisht e kuptueshme, natyrisht. Koha padyshim po punon kundër Chiellinit, por ai qartësisht po e shijon garën. Humori i tij gjatë gjithë turneut ka qenë jashtëzakonisht relaksues, pasi po bën maksimumin në atë që pritet të jetë turneu i tij i fundit në nivelin ndërkombëtar.
Trupi mund të ketë filluar ta tradhtojë, por mendja e tij mbetet e mprehtë si kurrë më parë. Ai është akoma mjeshtri i lojërave të mendjes, ende shpërndan mësime në “artet e errëta”. Chiellini mbetet modeli i qendërmbrojtësit stoik. Ai e vërtetoi këtë duke markuar Romelu Lukakun në fitoren epike të çerekfinales ndaj Belgjikës.
Ai gjithmonë ka thënë se, për sa i përket atij, “pjesa më e bukur e lojës është bilbili i parë, sepse pas kësaj, gjithçka tjetër zhduket, i gjithë presioni dhe tensioni zhduken. Ju nuk ndjeni asgjë, mendoni vetëm të luani”.
Ky sy i patrembur është arsyeja pse ende po luan në këtë nivel, një muaj larg nga ditëlindja e tij e 37-të. Kjo është arsyeja pse është kthyer në “Wembley”. Dhe kjo është arsyeja pse do të jetë i gatshëm të derdhë gjak përsëri. Luftëtari më i madh i Italisë do ta shijojë çdo sekondë të kësaj beteje të fundit.