Me një përballje që vlen shumë në Champions League si Roma-Liverpool, në kryeqytetin italian rikthehet alarmi i huliganëve.
Kuestura e Romës ka nisur të angazhojë një plan sigurie të detajuar për sfidën e skuadrës italiane ndaj formacionit anglez në stadiumin “Olimpico”.
Në bashkëpunim me “Scotland Yard” do të monitorohen mbi 2500 tifozë anglezë për gjysmëfinalen e kthimit, që është programuar në mbrëmjen e 2 majit. Në veçanti, sipas mediave italiane, vëmendja do të përqendrohet në 600 ultras të Liverpool që konsiderohen të rrezikshëm. Roma do të mbyllë dyqanet në qendër në orën 18:00 si dhe do të krijojë 3 zona të kontrolluara për mbledhjen e tifozëve.
Ndërkohë, po shkakton polemika çmimi i lartë i biletave. Për një vend në impiantin “Olimpico”, që çmim fillestar ka 65 euro, duhet të paguhet në tregun e zi deri në 450 euro. Për pjesët e tribunave anësore që Roma insiston se biletat janë 85 euro, tifozët po paguajnë më shumë se 700. Ka gjithashtu çmime stratosferike për tribunën “Monte Mario”, që shkon deri në 3500 euro.
Këto shifra janë në portale sekondare që shesin mijëra bileta, teknikisht të ezauruara në shitjen e lirë këtë javë.