Lazio dhe Atletico Madrid barazuan dje 1-1 në raundin e parë të Champions League për grupin E, duke ndarë nga një pikë në ‘Olimpico’. Goli i barazimit për vendasit e Sarrit erdhi në minutën e 90+4 të ndeshjes, i shënuar nga Provedel.
Deri këtu gjithçka duket në rregull, teksa kujtojmë se Provedel është portieri i skuadrës. Ai la portën për t’i ardhur në ndihmë të tijve, teksa lëvizja pas krosimit të Luis Albertos është e një sulmuesi race.
“Një natë që do ta kujtoj për gjithë jetën. Kam studiuar Immobile për goditjet me kokë”, ka komentuar portieri bardhekaltër. Ai ishte heroi i ndeshjes, teksa ende nuk i besohet se debutoi në Champions League.
Një ëndërr e përmbushur në mënyrën më të paharrueshme të mundshme, me atë gol në “frymën e fundit”. Aftësitë e tij si sulmues vijnë nga larg (ai luajti një vit si sulmues te Pordenone në ekipin e të rinjve).
Portieri i kishte treguar këto aftësi në Ascoli-Juve Stabia (2019-2020), në rrethana shumë të ngjashme: goditje me kokë për të barazuar në fund rezultatin 2-2. Ivan Provedel bëhet portieri i parë pas 13 vitesh që shënon një gol në Champions League. Për herë të fundit diçka të tillë e kishte bërë gardiani i Happoel Tel Aviv, Vincent Eneyama.