Seanca në Apel ndaj Ervin Salianjit të dënuar nga Shkalla e Parë për shpifje ka dështuar sërish.
Saga e këtij gjyqi është e pamatë, po aq sa manovrat që deputeti i Sali Berishës dhe avokati i tij kanë bërë.
Ajo që e bën qesharake këtë histori është argumentimi i sotëm për të mos u paraqitur në sallë: Salianji dhe avokati kanë deklaruar se janë aq shumë të sëmurë, saqë s’mund të shkojnë dot deri tek Gjykata e Apelit në qendër të Tiranës.
Ndërsa pjesa dramatike e historisë është fakti se avokat i Ervin Salianjit është Ledio Braho, që pretendonte të zgjidhej Avokat i Popullit.
Pra një jurist që i shmanget përballjes me togat e zeza do mbronte një popull të tërë…
Vetë Ervin Salianji në daljet e mëparshme ka hedhur akuza kuturu dhe është shfaqur i interesuar që gjyqi të zhvillohet.
Edhe pse në të gjitha rastet seanca është shtyrë ose për mungesë të Brahos, ose për mungesë të Indrit Sefës që përfaëson të bashkëpandehurin e Salianjit, J.Olldashin.
Por përse u dënua Salianji dhe pse ka frikë nga kjo seancë?
Ai së bashku me gazetarin Olldashi u shpallën fajtorë nën akuzën e kallëzimit të rremë lidhur me inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Geron Xhafaj në trafikun e drogës.
Shkalla e parë e dënoi me një vit burg për dosjen “Babale” me akuzën e kallëzimit të rremë. Nëse Gjykata e Apelit do të konfirmojë vendimin, deputeti Salianji rrezikon burgun.
Kjo do të thotë se deputeti i Berishës do të arrestohet në moment, në sallën e gjyqit. Gjithmonë nëse dënimi nuk konvertohet në shërbim prove.
Por në çdo rast kjo do t’i jepte fund karrierës politike të Salianjit si ligjvënës i Sali Berishës.
Sa i përket raportit mjekësor, çudia është se kur e kërkon Gjykata, Salianji sëmuret. Ndërsa kur shfaqet tek komisioni hetimor për TIMS, i shkëlqejnë sytë!