Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Vlorë, Damian Gjiknuri, po luan të gjithë gurët për të marr frenat e Bashkisë së Vlorës.
Të martën, kreu i Bashkisë së Vlorës Ditan Leli, u prishi planet anëtarëve të Këshillit Bashkiak për të mbajtur një “gjyq publik” ndaj tij, në ambientet e teatrit.
Por anëtarët e këshillit kanë vijuar edhe dje me të njëjtën strategji. Ditën e djeshme, ata kanë kërkuar mbajtjen e një tjetër mbledhje në datën 22 qershor. Por, gjithë kjo luftë ka ngritur tepër dyshime dhe pyetja që ngrihet është: Cilat janë interesat e Gjiknurit që kërkon të marrë Bashkinë e Vlorës?
Plani i tij është që në krye të Bashkisë së Vlorës të vendoset Afrim Qendro, i cili është i besuari i drejtuesit politik të Partisë Socialiste, dhe më pas pushteti vendor të përdoret për interesa personale. Para zgjedhjeve u tentua largimi i Lelit, të cilit ju kërkua që të kandidojë për deputet. Pasi ai e refuzoi këtë skemë, nisën sulmet e goditjet ndaj tij. I pari ishe Gjiknuri, ndërsa tani ka ngritur të gjithë mbështetësit e tij kundër kryebashkiakut.
Kërkesa e këshilltarëve
Anëtarët e këshillit të Bashkisë Vlorë në kërkesën e bërë dje, kanë kërkuar një tjetër mbledhje me prezencë të kryebashkiakut Dritan Leli. Në kërkesën drejtuar kryetares Migena Balla, anëtarët e këshillit shprehin indinjatën e tyre për takimin që duhej të mbahej më 15 qershor, pasi sipas tyre, u penguan që të ushtrojnë detyrën e tyre, si të zgjedhur vendorë të Vlorës.
Në kërkesën e dërguar, ata nënvizojnë se kryetari i bashkisë në përgjigjen e tij, ka tejkaluar në mënyrë flagrante kompetencat ligjore, pasi i përcakton Këshillit të bashkisë jo vetëm dëme, por edhe vendimin e zhvillimit të saj. Po ashtu, në kërkesën e tyre, këshilltarët kërkojnë që të realizohet mbledhja e radhës në datën 22 qershor. “Ne anëtarët e Këshillit Bashkiak shprehim indinjatën tonë për ngjarjen e paprecedentë në 15 qershor 2021, ku u penguam që të ushtrojmë detyrën tonë.
Teatri është pronë e bashkisë dhe e drejta e pronësisë ushtrohet nga Këshilli, përkatës. Ne kërkojmë realizmin jashtë radhës të mbledhjes së Këshillit Bashkiak në datën 22 qershor, me prezencën fizike në teatrin “Petro Marko”, theksohet në kërkesën e tyre. Ndërkohë, në rendin e ditës gjatë mbledhjes, pritet që të diskutohet mbi vendimin e marrë për pendimin e mbledhjes në datën 15 në ambientet e teatrit “Petro Marko” si dhe vënie para përgjegjësisë për personat që penguan zhvillimin e mbledhjes.
Po ashtu, në rend të ditës është edhe raportimi i Kryetarit të Bashkisë në lidhje me shqetësimin e komunitetit vlonjat për gjendjen e shërbimeve vendore, si dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve. Dy ditë me parë, kryetari i Bashkisë Dritan Leli refuzoi që të zhvillohej mbledhja brenda ambienteve të Teatrit “Petro Marko”. Kryebashkiaku Leli sqaroi se shkak për këtë pezullim të mbledhjes ishin masat anti-Covid të marra nga qeveria.