Romeo Kara ka deklaruar dje se Haxhia nuk është i interesuar për të hapur dosjen “Hajdari”. Sipas tij, ai është i përfshirë vetë në ekzekutimin e ish-deputetit të PD dhe e di që do mbajë përgjegjësi nëse i shkon deri në fund. “Edhe pse u arrit të rihapej një proces i pamundur, ku një nga kontribuuesit më të mëdhenj ishte vëllai i tij Ismeti, pasi kishte bërë 15 vjet burg dhe e njihte shumë mirë çështjen, Izeti nëpërmjet të dashurës së tij virtuale, na ofendoi duke kërkuar largimin tonë.
Arsyet për këtë i di ai, por i dimë edhe ne. Izetit dhe Saliut nuk i duhet një proces në dritë të diellit dhe gjithëpërfshirës. Izeti është mburrur shumë me denoncimet e Saliut, por kurrë nuk ka folur për çështjen Hajdari. Pse do të thoni ju? Se i djeg dhe i përvëlon. Minimumi ky trimi virtual le të thotë: kush e njoftoi Berishën për kasetën që Azemi ju dha Haklajve? Në cilin furgon ishte natën e vrasjes së Azemit? Ku ishte pas vrasjes së Azemit?
Kush i zhduku armët apo armën e vrasjes së Azemit? Kush e njoftoi Berishën për praninë e Jaho Salihit aty, etj? Ja pra që paska shumë arsye që çështja të mos hapet”, tha ai. Kara ka hedhur dyshime dhe për rolin e të dashurës së Haxhisë. Sipas tij, është ajo e cila fshihet pas gjithçkaje, pasi e nxit Izetin për çdo gjë. Madje sipas tij, ajo i ka marrë dosjen gjyqësore me argumentin se do ja jepte babait të saj, por nuk ka ndodhur një gjë e tillë.
Sipas Karajt, është mister kujt ja ka dhënë dosjen Erjona. Pra duket se gjithçka është përmbysur dhe sinjalet janë se lëvizja e Haxhisë është vetëm një teatër./Sot