Heqja e Shqiponjës dhe prishjet tek Astiri kanë ngjallur polemika të mëdha, mes mazhorances dhe opozitës.
Në kuadër të projektit për zgjerimin e Unazës së Madhe, u vendos që të prishet sheshi “Shqiponja”, për ndërtimin e një mbikalimi, me qëllim lehtësimin e trafikut. Reagime të shumta janë ngritur nga opozita, të cilët e cilësojnë si të paligjshëm këtë projekt.
Ndërkohë, dritare.net ju kujton se, trembëdhjetë vjet më parë, kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha, vendosi dhe shembë mbikalimin, që Rama planifikoi si kryetar bashkie dhe do ta ringrejë si kryeministër. Le të rikthehemi pak në kohë!
Më 5 korrik 2006-s u prish mbikalimi i Zogut të Zi. Në këtë kohë, vendin e drejtonte ish-kryeministri, Sali Berisha. Mbikalimi i Zogut të Zi cilësohej si një vepër e rëndësishme në kryeqytet, dhe prishja e tij u vendos dhe u realizua, pas një mori debatesh dhe lufte mes mazhorancës dhe opozitës. KKRT-ja ishte kundër prishjes së mbikalimit, por më 29 dhjetor të 2005-s, Berisha gjatë mbledhjes së KKRT-së, ftoi të gjithë që të votonin për shembjen e mbikalimit. Përfundimisht, në këtë mbledhje u vendos që të kryhej shembja e mbikalimit të Zogut të Zi.
Trembëdhjetë vjet më vonë, dritare.net ka sjellë për ju në video, një deklaratë të ish-kryeministrit Berisha, i cili gjatë mbledhjes së KKRT-së tha:
“Ju ftoj të shfuqizojmë vendimin e KKRT-së, të Bashkisë Tiranë për ndërtimin e Zogut të Zi. Ky vendim në çdo germë të tij pikon korrupsion dhe të shkojnë në ndjekje penale të gjithë ata që kanë bashkëpunuar në këtë krim të vërtetë urbanistik.”
LEXO DHE : 8 arsye përse duhet të mendohesh mirë para se të lidhesh me një gazetar
Më 5 korrik të 2006-s u realizua edhe shembja e mbikalimit të Zogut të Zi. Shihni videon e sjellë nga dritare.net!
Në këtë periudhë në opozitë ishte Partia Socialiste dhe kryetar Bashkie në Tiranë ishte, kryeministri i sotëm, Edi Rama, i cili e projektoi këtë mbikalim. Por pavarësisht përpjekjeve si opozitë, nuk arritën ta ndalonin Berishën që të prishte mbikalimin. Një ditë pas prishjes së mbikalimit,
Rama në një deklaratë për medie, që dritare.net e ka sjellë për ju, tha: “Përpara këtij vandali dhe këtij të paafti nuk ka tërheqje dhe ka vetëm një rrugë atë të qëndresës dhe heqjen qafe të këtij kryeministri tërësisht të papërshtatshëm jo për Evropën, por dhe për Ballkanin dhe për fshatin më të largët në Shqipëri.”
Mbështetës i prishjes së mbikalimit të Zogut të Zi ishte edhe ministri i Infrastrukturës, Transportit dhe Telekomunikacionit në atë kohë dhe sot, kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Dymbëdhjetë vjet pas prishjes së mbikalimit, dritare.net ka sjellë për ju një video, ku Basha thoshte për gazetarët se: “Prishja e mbikalimit është një masë që merret për lehtësimin e trafikut në hyrje të Tiranës. Është një masë me karakter të përkohshëm, që ndërmerr organi i policisë ndërtimore.
Mesa duket, kjo çfarë po ndodh tani është një rikthim në kohë. Sepse Rama vonon, por nuk harron./ dritare.net