Kuvendi i është drejtuar me një shkresë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke i kërkuar informacione se në çfarë faze ndodhet hetimet për çështjen CEZ.
Në shkresën e nënshkruar nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, thuhet se afati 3 mujor i zgjatjes së hetimeve ka përfunduar më 31 tetor.
“Duke qenë se afati 3 mujor për zgjatjen e afatit të hetimeve i vendosur nga gjykata ka përfunduar më datë 31 tetor 2018, Kuvendi i Shqipërisë në cilësinë e palës së interesuar në këtë proces (kallëzues), mbështetur në nenin 105 të Kodit të Procedurës Penale, kërkon të na informoni në lidhje me stadin ku ndodhet hetimi i kësaj çështjeje si dhe të na vini në dispozicion kopje, ekstrakte ose vërtetime të akteve të veçanta që dispononi”, thuhet në letrën drejtuar Elisabeta Imerajt, drejtuese e Prokurorisë së Rrethit Tiranë.