Bujaria, mbështetja për atë që ka nevojë, së bashku me mikpritjen kanë qenë historikisht tradita të shqiptarëve, që theksoheshin vazhdimisht në tekstet shkollore, apo në histori e libra të autorëve të ndryshëm.
Por, këto tradita tashmë duket se i përkasin vetëm historisë. Sondazhi i fundit i “Gallup”, i kryer në funksion të indeksit të lumturisë 2023, tregon se Shqipëria renditet ndër të fundit në Europë, sa i takon treguesve të bujarisë dhe mbështetjes sociale.
Krejt ndryshe është situata për shtetasit e Kosovës, që vijojnë t’í ruajnë e zbatojnë këto tradita, duke u renditur ndër të parët në botë sa i përket bujarisë.
Mbështetja sociale është një tregues që sipas metodologjisë së raportit lidhet me pasjen e dikujt ku të mbështetesh në kohë telashesh.
Pyetja që u drejtohet të anketuarve është: “Nëse keni qenë në telashe, a keni të afërm ose miq që mund të mbështeteni për t’ju ndihmuar sa herë që keni nevojë, apo jo?”
Shqipëria në këtë tregues renditet e fundit në Europë dhe e 29-a nga fundi në botë dhe ka diferencë nga shtetet e tjera të Europës. Mbështetja sociale e shqiptarëve është njëlloj me atë të shteteve si Congo, Zimbabwe, Kenya, Honduras etj.
Në rajon, pas Shqipërisë, mbështetje më të ulët sociale ka në Maqedoninë e Veriut.
Kosova renditet ndër 40 vendet në botë që mbështesin njëri-tjetrin, ndërsa nuk ka të dhëna për Serbinë e Malin e Zi.
Shtetet me mbështetjen sociale më të lartë në botë janë Zelanda e Re, Danimarka, Finlanda, Islanda.