Chelsea ka barazuar me shifrat 2-2 ndaj Totenham në një ndeshje dramatike. Sa i përket Armando Brojës, ndryshe nga Evertoni, sulmuesi shqiptar është aktivizuar në minutën e 89.
Asnjë hapësirë për të mbërritur në kontakt me topin dhe për të lënë gjurmën e tij në kaq pak minuta. Tuchel nuk e llogariti për ta aktivizuar më herët as në momentet kur ndeshja ishte në barazim, aq më tepër kur ishin në fitore.
Ndërkohë në majën e sulmit po vazhdon eksperimenti me Sterling. Për këtë arsye mund të thuhet se e ardhmja e Brojës mund të jetë larg Chelsea.
Pavarësisht debutimit me Tuchel në Stamford Bridge, gjatë ndeshjes me Totenhemin ka dalë një zhvillim i ri. Mediat britanike raportojnë se Chelsea po kërkon sulmuesin e Everton, Gordon, që kushton 50 milionë euro dhe Armando Broja si dëshira e Lampard mund të jetë pjesë e marrëveshjes.
Shumë emocione dhe përplasje mes trajnerëve janë dhuruar në ndeshjen mes Chelsea dhe Totenham. Gjithçka nisi që në golin e parë të Totenham, teksa në krahun e Chelsea kërkuan anulimin e tij për një prekje të topit me dorë. Arbitri nuk mendoi kështu, ndërsa pas festës së Contes para fytyrës së Tuchel, ky i fundit reagoi po kaq i irrituar.
Një gol i barazimit në minutën e fundit do ta rriste sërish adrenalinën. Kur mendohej se në fund do të kishte paqe, nuk rezultoi kështu. Shtrëngimi i duarve që i kaloi në konfrontim fizik dukej më tepër si një takim që i përket djelmoshave në rrugës, kurrsesi dy trajnerëve.