Siç paralajmëruan meteorologët, gjatë së martës pasdite, pati një ndryshim të temperaturave në Kosovë.
Rrebeshet me shi dhe breshëri kanë prekur disa komuna në Kosovë.
Përmes një njoftimi zyrtar, Komuna e Rahovecit u bëri thirrje qytetarëve të raportojnë çdo situatë emergjente në numrat e duhur.
“Pas rrëbesheve të shiut të orëve të pasdites, të cilat u shoqëruan edhe me breshër, ekipet e komunës, zjarrfikësit dhe kompanitë e kontraktuara nga komuna, kanë dalë në terren për të përcjellë situatën,” thuhet në njoftimin e komunës. “Falë përpjekjeve të përbashkëta, ujërat e mbledhur janë shkarkuar, dhe tani gjendja është përmirësuar.”
Komuna ka aktivizuar edhe ekipet e pastrimit që janë duke punuar për të pastruar rrugët nga ndotjet dhe për të siguruar kalueshmërinë në rrugët e prekura nga breshëri.
U bëhet thirrje qytetarëve të komunikojnë me numrat emergjentë në rast të ndonjë problemi të mëtejshëm.
“Në rast të nevojës për asistencë, qytetarët janë të lutur të kontaktojnë në numrat e telefonit: 112 – Numri unik emergjent; 193 – Njësiti i zjarrfikjes dhe shpëtimit; 192 – Policia e Kosovës,” shtoi komuna.
“Meteo Ballkan” ka raportuar në Facebook se breshër i madh ka rënë edhe në Suharekë, Han të Elezit, e të tjera.
Pavarësisht raporteve fillestare të përmirësimit të situatës, autoritetet komunale janë ende duke vlerësuar për dëmet dhe reagimin e nevojshëm.
Ata mbeten në gatishmëri për të ndihmuar komunitetin dhe për të siguruar mbështetjen e nevojshme./Telegrafi/