Deputeti i Partisë Socialiste, Flamur Golemi ka komentuar ditën e djeshme protestën e opozitës, e cila u zhvillua në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku nuk munguan edhe incidentet. Gjatë një prononcimi për gazetën SOT, deputeti socialist u shpreh i bindur se braktisja masive që qytetarët i bënë protestës së djeshme të opozitës, sipas tij, ishte e paralajmëruar.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, Golemi theksoi se prania e pakët e njerëzve në protestë lidhet ngushtësisht me kauzën për të cilën PDLSI thirrën tubimin. Sipas tij, është absurde dhe mjerane që të dalësh në shesh për “Babalen”. “Braktisja masive që qytetarët i bënë protestës së opozitës ishte e paralajmëruar. Unë personalisht s’jam hiç i surprizuar. Nuk prisja gjë tjetër veç asaj që pamë të gjithë. Në Shqipëri ka dhe do të ketë plot arsye për protesta, por të dalësh në shesh për ‘Babalen’ e opozitës, një trillim nga dëshpërimi për pushtet, është mjerim i madh. Prandaj në shesh shkuan aq pak njerëz.
Dhe të mendosh në fakt se aty ishin bashkë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim”, deklaroi ai. Ndërkohë deputeti Golemi hodhi akuza ndaj minorancës, duke theksuar se qëllimi i opozitës është krijimi i artificave, për të penguar sipas tij, hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. “Po kështu duhet të kuptojmë se qëllimi i opozitës është si e si të krijojë artifica për të penguar hapjen e negociatave me BE-në.
Pamjet e protestës që bëjnë xhiron e botës nëpër media, me siguri që nuk ndikojnë pozitivisht në ato vende të cilat janë ende skeptike ndaj Shqipërisë sa i përket negociatave. Megjithatë unë mendoj se braktisja e qytetarëve dhe madje e mijëra demokratëve të tjerë, është përgjigjja më e mirë për Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin. Nëse nuk bëhen alternativë, s’mund të vijnë në pushtet. Po ngelën ‘babalepartia’ dhe po bënë ‘babaleprotesta’, kanë për të mbetur gjithë kohës në opozitë. Por dështimi i tyre nuk duhet të jetë kusur për Shqipërinë në proceset integruese, ndaj nëse s’e bëjnë dot as opozitën, më mirë të largohen fare dhe t’i hapin rrugë një opozite tjetër. Kjo që po bëjnë është çmenduri që s’i çon askund”, nënvizoi deputeti i Partisë Socialiste, Flamur Golemi.//Sot//