Deputeti socialist, Erion Braçe u nervozua me kolegun e tij Arben Pëllumbi gjatë zhvillimit të Kongresit të Partisë Socialiste ditën e shtunë.
Teksa po ngrinte problematikat në sektorin e bujqësisë duke propozuar dhe zgjidhjet për qeverinë, Pëllumbi i kërkoi të mbyllte sa më shpejt diskutimin për t’u lënë radhën të tjerëve për të folur. Por, Braçe paralajmëroi Pëllumbin dhe socialistët e tjerë se duhet të veprohet menjëherë për të ndërhyrë në bujqësi pasi vitin e ardhshëm do të krijohen pasoja serioze për këtë sektor dhe PS.
“Shiko, Ben, unë me thënë të drejtën dëgjova deri tani, i pranoj edhe lavdërimet, por do të doja të ndanim disa shqetësime që duhet të na bëjnë ne të ndryshojmë. E di pse?! Sepse vitin tjetër do jetë shumë vonë Ben, shumë vonë. Pyetini njëri pas tjetrit, ja ku i keni të gjithë me radhë, por do të jetë vonë për PS dhe për bujqësinë mbi të gjitha”, tha Erion Braçe.
Deputeti socialist Pëllumbi i ndërhyri gjatë fjalës ish-zv/kryeministrit duke i kujtuar se PS po i pyet qytetarët për çështjet që duhen zgjidhur me përparësi. Sërish, Braçe u kundërpërgjigj duke e konsideruar ndërhyrjen e kolegut të tij Pëllumbi si censurë, diçka që ka ndodhur që prej vitit 1990.
“Tani ti do që unë të mos flas? Por s’ka ndodhur që nga 1990, Ben, nuk ka ndodhur kjo gjë”, vazhdoi replikën me Arben Pëllumbin Erion Braçe. Më pas deputeti socialist u shmang nga replikat me Erion Braçen duke kërkuar që të fliste një fermer i kultivimit të mollëve, i pranishëm në Kongres.
“Doja që mbas jush të dëgjonim edhe Veipin e mollëve realisht, të na thotë si e bën, si e transporton a ka ndonjë vështirësi”, tha Pëllumbi. Braçe bëri thirrje që qeveria t’u falë fermerëve borxhet që kanë ndaj shtetit që nga një vit i caktuar deri në 2017.
Ai kërkoi që të fermerët të kenë mundësi të investojnë sërish në sektorin e bujqësisë. “A ka mundësi që të gjithë ato borxhet që fermerët kanë përkundrejt programeve që nga viti x deri në 2017 t’iu falen?! Joe Biden po fal kreditë e studentëve, ne e kemi akoma më jetike që ato para që s’kanë për t’u kthyer ndojëherë që të pastrohen nga librat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Financave, që t’u mundësohet njerëzve që mbi ato rrënoja të ngrenë ekonominë e tyre”, përfundoi fjalën e tij në Kongresin e PS, Erion Braçe.