Bosi i kokainës Trifon Murataj vijon të drejtojë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës linjën e trafikut të kokainës kamufluar me bananet që reklamon me aq zell Ardit Gjebrea.
Edhe pse me administratorin dhe shoferët në burg, edhe pse i doli droga sheshit në Vaqarr, edhe pse zhduku 49 arka me kokainë nga Porti i Durrësit, Murataj vijon t’i shpëtojë ndëshkimit ligjor falë lidhjeve të forta korruptive me segmente të shtetit.
Prapaskena mëson se ‘ujku i vjetër’ i kokainës nga Ekuadori dhe Kolumbia, Trifon Murataj, ka lidhje me një drejtues të lartë policie, të cilin e përdor si mburojë për lëvizjen e kokainës në banane në Portin e Durrësit.
Drejtuesi i lartë i policisë, për të cilin do të japim detaje në vijim, është rekrutuar nga Murataj në këmbim të shumave të mëdha parash, produkt i trafikut të kokainës. Zyrtari i lartë i policisë është garancia për daljen e sigurtë të kokainës së Trifon Muratajt nga kontenjerët në Portin e Durrësit.
Drejtuesi i lartë i policisë ka influencë të fortë në Tiranë deri në Durrës, por edhe lidhje me funksionarë të tjerë të shtetit. Paratë që merr nga Murataj po i investon në pasuri të paluajtshme në emrin e tij dhe të njerëzve të tjerë të besuar.
Ka dyshime se kryepolici i lartë, i blerë nga Murataj, ka nxjerrë jashtë loje edhe dy konkurrentët e tij në trafikun e drogës, Arbër Çekajn dhe Eduart Dautin, të cilët janë izoluar në burg.
Jo rastësisht nuk është sekuestruar ende kompania Zico të Trifon Muratajt, që reklamon Bana King, siç u sekuestruan kompaninë ‘Arbi Garden’ të Arbër Çekajn si dhe kompaninë “Alba Exotic Fruit” të Eduart Dautit.
Dy grosistët e drogës në banane Eduart Dauti dhe Arbër Çekaj mund të jenë goditur si konkurrentë të Trifon Muratajt në trafikun e kokainës. Faktet tregojnë se Murataj ka korruptuar edhe kupolën e Portit të Durrësit, e cila punon për mbulimin dhe kalimin e kokainës, siç edhe tregoi rasti i fundit, ku 20 persona u kujdesën sipas policisë në zhdukjen e 49 arkave të dyshuara me kokainë.
20 persona mes të cilëve 16 punonjës të Forcës së Sigurisë Portuale u arrestuar në 16 korrik 2022 nga policia, pasi dyshohet se në bashkëpunim, kishin hapur natën kontenjerin e kompanisë Zico të Muratajt, duke nxjerrë 49 arka me kokainë.
Po a mundet që kupola e Portit të Durrësit të bëhet pjesë e trafikut të drogës pa implikimin e drejtorit Autoritetit Portual, Pirro Vengu?
Deri më tani dihet se Pirro Vengu është një nga drejtorët më të akuzuar për korrupsion dhe afera, i kapur nga KLSH në abuzime dhe vjedhje skandaloze. Vengu ka një dosje në SPAK, e cila përmban të gjithë elementët për të përfunduar tek 313.
Murataj trafik sistematik kokaine
Kjo nuk është hera e parë që kompania “Zico”, është e selektuar si e dyshuar në trafikun e Kokainës, nga vendet e Amerikës Latinë drejt Shqipërisë dhe vendet e tjera të BE-së.
Në fund të dhjetor 2021, në ambientet e kompanisë “Zico” në Vaqar, policia sekuestroi plot 119 kg kokainë, duke sjellë dhe arrestimin e dy shoferëve të kompanisë së bananeve, Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu.
Njëherësh policia arrestoi dhe administratorin e kompanisë “Ziko”, Marson Murataj, i cili fillimisht u arrestua dhe më pas u la në “arrest shtëpie”.
Por ishte Gjykata e Apelit Tiranë, që vendosi të kthejë në burg Marson Murataj. Çështja vijon të hetohet nga prokuroria e Tiranës dhe çuditërisht ky rast nuk i ka kaluar për hetime të mëtejshme, prokurorisë së posaçme SPAK, për ta hetuar dosjen si grup të strukturuar kriminal.
Prokuroria duhet të hetojë lidhjet e tjera kriminale se kush qëndron në kupolën e këtij trafiku ndërkombëtar, që kryhet përmes kontejnerëve të kompanisë “Zico” të Trifon Murataj.