Bosët e bizneseve të mëdha në Shqipëri e kanë shfrytëzuar në maksimum përgjysmimin e tatimit mbi dividentin duke shpërndarë masivisht fitimet e mbartura prej vitesh në bizneset që ata zotërojnë.
Të dhënat zyrtare Tatimet tregojnë se për periudhën janar shtator të këtij viti, bizneset e mëdha shpërndanë 1 miliardë e 200 milionë euro dividentë për aksionerët e tyre ose 6 herë më shumë se vjet.
Dividendi është pjesa e fitimeve që një kompani shpërndan për aksionerët e saj. Por meqënëse ndarja e fitimeve nuk është detyrueshme me ligj, shumë kompani i lënë fitimet për vite të tëra të pashpërndara për të mos paguar taksën, veçanërisht kur ajo është e lartë. Dhe kjo është ajo që ka ndodhur në Shqipëri.
Deri në fund të vitit të kaluar, shkalla e taksës së dividentit në Shqipëri ka qenë 15 për qind. Por duke filluar nga një janari i këtij viti, me propozim të qeverisë, parlamenti e uli tatimin nga 15 në 8 për qind.
Sipas ligjit të miratuar me paketën fiskale, kësaj mase ju dha fuqi prapavepruese duke taksuar me 8 për qind edhe fitimet e pashpërndara që bizneset kishin nga vitet e mëparshme. Por me kushtin që këto fitime të shpërndaheshin si divident brenda 30 shtatorit të këtij viti.
Dhe me sa duket njerëzit më të pasur të vendit kanë nxituar për të përfituar nga ulja e taksave duke shpërndarë në vetëm 9 muaj 1.2 miliardë euro fitime. Si rezultat vetëm nga kjo taksë buxheti I shtetit ka arkëtuar plot 100 milionë euro për 9 mujorin ose gati 4 herë më shumë se vjet.
Përgjysmimi I tatimit mbi dividentin shkaktoi debate të forta politike por edhe mes ekspertëve, pasi kjo është një lehtësi nga e cila përfitojnë vetëm të pasurit, pra ata që zotërojnë aksione tek bizneset e mëdha.