Ilir Meta i është përgjigjur kKryeministrit Edi Rama, i cili nga Vlora e ka akuzuar se ka bllokuar projektin të ashtuquajtur “Lungomare 2”.
Në një deklaratë të zëdhënësit të presidentit thuhet se në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar informacion mbi arsyet pse nuk është respektuar procedura kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë projekt.
“Është tashmë e qartë se, Kryeministri ende në detyrë synon, që në shkeljet e rënda për këtë marrëveshje, të përfshijë dhe Presidentin e Republikës, me qëllim, që këtë model antikushtetutshmërie, ta përdorë edhe në praktika të tjera të ngjashme, që Qeveria ka në proces”, vijon deklarata e Blushit te Metes.
Më tej thuhet se presidenti “është i vendosur dhe nuk do të tolerojë në asnjë rast shkeljen e Kushtetutës”.
Në fund deklarohet se presidenti Ilir Meta nuk do t’i lejojë “kryeministrit ende në detyrë, që të shpërdorojë fondet shtetërore për qëllime selektive elektorale”.
Reagimi i plotë i Blushit të Metës
Pas inskenimeve dhe deklaratave të papërgjegjshme, të bëra sot në Vlorë, nga Kryeministri ende në detyrë, për nevoja të propagandës së tij elektorale, jemi të detyruar të bëjmë publik qëndrimin zyrtar të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta: “Mbi përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore për lidhjen e marrëveshjes së Huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për Projektin e ‘Rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum)’”.
Nga kjo letër, drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, evidentohet qartë se Presidenti Meta në mënyrë të përsëritur ka kërkuar informacion mbi arsyet pse nuk është respektuar procedura kushtetuese dhe ligjore për t’u pajisur me autorizim nga Kreu i Shtetit, për të negociuar termat financiarë të një marrëveshje huaje, që lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë.
Është tashmë e qartë se, Kryeministri ende në detyrë synon, që në shkeljet e rënda për këtë marrëveshje, të përfshijë dhe Presidentin e Republikës, me qëllim, që këtë model antikushtetutshmërie, ta përdorë edhe në praktika të tjera të ngjashme, që Qeveria ka në proces.
Presidenti Meta, sikundër ka bërë publike, është i vendosur dhe nuk do të tolerojë në asnjë rast shkeljen e Kushtetutës.
Presidenti Meta, garanton qytetarët e Qarkut të Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë se është i vendosur të mbrojë interesin publik dhe njëkohësisht do të respektojë kërkesat e tyre për investime publike, pa i lënë shteg Kryeministrit ende në detyrë, që të shpërdorojë fondet shtetërore për qëllime selektive elektorale.