Më shumë se 150 pasagjer shqiptarë dhe të huaj janë bllokuar në Zyrih pasi shteti shqiptar nuk i zyrtarizoi uljen e avionit nga Zvicra, të planifikuar për mesditën e sotme. Mes pasagjerëve është edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.
Burime nga Ministria e Infrastrukturës, pohojnë se për fluturimin nga Zyrihu nuk ishte marrë leje nga shteti shqiptar. Po ashtu të njëjtat burime pohojnë se vendi ynë nuk ka hapur kufijtë ajror me Zvicrën dhe për këtë arsye ka ndodhur edhe bllokimi.
Ministria e Infrastrukturës pohon se ka pasur kontakte me kompaninë që do të sillte pasagjerët, por që nuk ka dhënë miratimin e saj, pasi kompania ajrore nuk ka pranuar të marrë pasagjer nga Shqipëria për t’i dërguar në shtetin e Zvicrës. Kjo sipas ministrisë është e papranueshme, madje deri më tani pohojnë burimet janë bërë marrëveshje për fluturimet vetëm me Greqinë, Austrinë dhe Serbinë, ndërsa me Zvicrën ka pasur diskutime por ende nuk ka një marrëveshje. /Shqiptarja.com