Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është blinduar. Ditën e djeshme Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka marrë disa vendime të rëndësishme, duke emëruar dy prokurorët e rinj në Prokurorinë Speciale.
Kështu, pas intervistimit, detyrën e re e kanë marrë prokurorët Adnan Xholi dhe Dorina Bejko. Prokurori Xholi ka marrë 183 pikë nga vlerësimi, Dorina Bejko me 180 pikë, duke e çuar në 15 numrin e prokurorëve në SPAK. Vetë prokuroja Bejko gjatë intervistimit premtoi se do ishte objektive në punë dhe se do të ruante sekretin hetimor.
Po ashtu, në mbledhjen e djeshme të KLP, ka pasur emërime të reja në institucionet e Prokurorisë në disa qarqe të vendit. Erjon Shehaj, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë; Pierind Çukaj, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë; Durim Bedini, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë; Julian Çafka, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër; Lazër Çardaku, në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër.
Gjithashtu Këshilli vendosi të vlerësojë të përfunduar, procedurën e verifikimit të pasurisë dhe figurës për prokuroren Dhorina Theodhori, kandidate për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë dhe për prokurorin Abaz Muça, kandidat për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat.
Pas këtij momenti ata lejohen të vijojnë me procedurat e mëtejshme të ngritjes në detyrë për pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë. Po ashtu në takimin e djeshëm, Këshilli pranoni kërkesën për dorëheqjen e prokurorit Agron Gjana, e cila do të hyjë në fuqi më 31 gusht.