Nga Bledi Mane
E keni vënë re garën e fortë mes dy institucioneve publike? Ministria e Shëndetësisë deklaron ulje të rasteve me Covid, Ministria e Rendit rendit çdo ditë rritjen e kriminalitetit. Asnjë vdekje nga Covidi në Vlorë, 2 vrasje nga larjet e hesapeve në Vlorë. Asnjë vdekje nga Covidi në Shkodër, 2 të vdekur nga aksidentet në Shkodër…
Covidi heq maskën të marrim frymë lirisht, krimi vë maskën dhe na rimerr frymën. Ogerta Manastirliu buzëqesh modestisht kur spitalet zbrazen, ngërdheshet Bledi Çuçi kur varrezat mbushen.
Të euforuar nga fitorja e 25 prillit, socialistët qeverisës kanë braktisur punët dhe të grupuar në klane e mejhane bëjnë plane kush e kush josh më tepër Edi Ramën për tu bërë ministër në shtator ndërkohë krimi ka marrë në dorë frenat e vendit.
Teksa shoh dalldisjen dhe indiferencën e qeverisë do u lutem kriminelëve që deri në shtator të shtojnë vrasjet e përdhunimet që kësaj here të protestoj edhe unë i zhveshur lakuriq para godinës së kryeministrisë në bulevard.
Ndërkohë që unë do jem aty lakuriq pa brekë do ta shikoni si do reagojnë socialistët. Do përmenden e do fillojnë të zihen gra e burra, kush e kush do solidarizohet me mua, kush do jetë më pranë meje. Pushteti i gjatë i ka velur, tanimë kanë nevojë për eksperienca të reja, qejfe të reja!