Hetuesit e Byrosë Kombëtare të hetimit kanë nisur dje zyrtarisht punën. Ata janë ulur në zyrat e tyre dhe tashmë do të asistojnë SPAK në hetimin dosjeve të bujshme. 9 Oficerët e Policisë Gjyqësor të ish-Krimeve të Rënda që asistonin SPAK, janë shpërndarë në rrethe. 4 u atashuan pranë Prokurorisë së Tiranës, 1 në Elbasan, 1 në Kukës, 3 në Prokurorinë e Përgjithshme.
Por çfarë pritet të ndodhë realisht me ngritjen e BKH? Që një prokuror të kryejë si duhet punën, padyshim një rol shumë të madh ka Policia Gjyqësore. Oficerët e Policisë Gjyqësore janë ata që zbresin më shumë në terren dhe kanë në dorë provat si për korrupsionin ashtu dhe për krimin. Byroja e Hetimit do të jetë pikërisht një polici gjyqësore që do i shërbejë vetëm SPAK. Monitorimi i SPAK
Elementi kryesor që do të sjellë ngritja e BKH është padyshim futja në përgjim e anëtarëve të SPAK. Një ndër elementët kryesorë të reformës ishte pikërisht që përmes përgjimit, monitorimit të transaksioneve bankare si për prokurorët e gjyqtarët apo familjarët e tyre, të ulet mundësia që të kemi ndikim politik dhe presione e shantazhe.
Sipas ligjit, do të jetë Byroja Kombëtare e Hetimit ajo që do të kryejë monitorimin e anëtarëve të SPAK. Më konkretisht, sapo BKH të marrë jetë, do të emërohet një oficer përgjegjës për mbikëqyrjen. Ai do të jetë hetues i BKH me të paktën pesë vite përvojë si oficer i Policisë Gjyqësore. Po ashtu dy hetues emërohen me short për një mandat gjashtëmujor, si oficer përgjegjës për monitorimin.
Ky mandat nuk mund të përsëritet dy herë brenda një viti. Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, në prani të Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe Kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bëjnë përzgjedhjen me short.
Oficeri përgjegjës do të kryejë vëzhgimin periodik të telekomunikimeve të kryetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtuesit, prokurorëve dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, Drejtorit, Zëvendësdrejtorit dhe hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, oficerëve të shërbimeve të Policisë Gjyqësore, si dhe punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Oficeri përgjegjës nuk ka përgjegjësi të tjera hetimore apo administrative.
Interesant është se plani i monitorimit nuk u bëhet i ditur kryetarëve të gjykatave, gjyqtarëve, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, prokurorëve të posaçëm, Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit apo kujtdo tjetër. Plani ndryshohet çdo tre muaj. Po ashtu Oficeri përgjegjës ka akses në deklarimet e pasurive dhe të lidhjeve, të bëra prej anëtarëve të SPAK e BKH.
Oficeri përgjegjës, nëse ka dyshim të arsyeshëm se një telefonatë, mesazh apo komunikim me postë elektronike është provë e korrupsionit, nxjerrjes së informacionit, komunikimit me organizata kriminale, ndikimit politik apo çfarëdo veprimi tjetër që mund të jetë në shkelje të Kodit Penal, ai ia raporton atë një prokurori të posaçëm të Prokurorisë së Posaçme, i cili nuk është i përfshirë në shkelje. Pra me ngritjen e BKH, SPAK do të kyçet dhe do të priten lidhjet e politikës me prokurorët apo gjyqtarët.
Kontrolli i llogarive bankare
Me ngritjen e BKH do të ngrihet një tjetër qendër monitorimi, e cila do të jetë në Drejtorinë e Pastrimit të Parave, funksioni i së cilës është monitorimi i transaksioneve dhe llogarive bankare të anëtarëve të SPAK. Oficeri përgjegjës shqyrton çdo muaj llogaritë financiare të kryetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtuesit, prokurorëve të posaçëm dhe punonjësve të Prokurorisë së Posaçme, Drejtorit,
Zëvendësdrejtorit, hetuesve dhe punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, oficerëve të Shërbimeve të Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe të anëtarëve të afërt të familjeve të tyre.
Elementët e tjerë
BKH do ketë role shumë të rëndësishme në SPAK. Së pari mund të bëhet pjesë e ekspertizës. Nëse Prokuroria e Posaçme ka vështirësi hyjnë në lojë agjentët e BKH. Një rol tjetër jashtëzakonisht i madh do të jetë ai i sektorit të bashkëpunimit ndërkombëtar. Do të jetë një zyrë posaçme që do të mbajë kontakte të vazhdueshme me partnerët dhe falë kësaj zyre pritet të zbulohen llogaritë bankare jashtë vendit të dhjetra pushtetarëve. Elementi tjetër që do të rrisë shanset për hetime në nivele të larta është se të gjitha institucionet shtetërore janë të detyruar të raportojnë në PSAK nëse kanë dijeni për një akt korruptimi.
“Të gjitha organet e pushtetit shtetëror dhe të gjitha subjektet juridike, të cilat, në kryerjen e aktiviteteve të tyre, vijnë në dijeni për rrethana dhe të dhëna për vepra penale të parashikuara në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale, janë të detyruar t’i referojnë këto rrethana ose të njoftojnë menjëherë Byronë Kombëtare të Hetimit ose Prokurorinë e Posaçme”, thuhet në ligj.