Ish-kryeprokurori Arben Rakipi, ka komentuar arrestimet e fundit për çështjen e inceneratorëve dhe reformën në drejtësi. Në një intervistë televizive, mungesën e një hetimi për personat e shpallur “non grata”, mes të cilëve edhe Sali Berishën, ish-kryeprokurori e sheh të lidhur me vonesën në ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pa përjashtuar përgjegjësinë që ka çdo prokuror apo dhe vetë policia për të nisur verifikimet dhe hetimit.
Ai deklaroi se Byroja Kombëtare e Hetimit ka target të analizojë dosjen e Departamenti Amerikan i Shtetit që shpalli ish-kryeministrin “non grata”. Informacione të cilat kanë një natyrë ose kanë një burim të papërcaktuar dhe pasojën e kanë në kryeqytet, është kompetencë e prokurorit të kryeqytetit pavarisht se ku e ushtron detyrën duhet që të nis hetimet se nëse mendon se në një raport ka të dhëna për të filluar hetimet.
Ekziston mundësia që kompetenca të jetë tjetërkund, për rrjedhojë që kjo strukturë policore, Byroja Kombëtare e Hetimit të mund të analizojë të gjithë të dhënat apo elementë të ndryshëm, që të jenë lëndë penale, të nxjerrin konkluzionet e tyre”, tha ai. Lidhur me arrestimin e ish-deputetit socialist Alqi Bllako, Rakipi shprehet se një deputet mund të ndiqet edhe në gjendje të lirë.
Sipas tij, një prokuror duhet që të jetë i matur dhe po ashtu i arsyeshëm, kur fillon të mendojë mbi efektet e një arresti apo masë dënimi.“Çështja e arrestit ishte jo thelbësore.
Fare mirë një deputet mund të ndiqet edhe në gjendje të lirë. Prokurori duhet të jetë i matur, i arsyeshëm, kur fillon të mendojë mbi efektet e një arresti apo masë dënimi. Ai mund të ketë qenë i trembur, i emocionuar negativisht, dhe mund të ketë pasur në mendje të fshihet”, tha ai.
Rakipi komenton arrestimin e Tahirit
Ndërkohë, ai ka komentuar edhe dënimin e ish-ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri. Ish-kryeprokurori e konsideron një sukses të organeve të drejtësisë.“Unë e konsideroj në pikëpamjen e nevojës publike që korrupsioni të dënohet, pavarësisht subjekteve që janë përfshirë, unë e konsideroj një sukses të Prokurorisë.
Ka bërë të mundur të çojë një ministër goxha të fuqishëm para drejtësisë”, tha ai. Ndërkohë, i shkëputur nga detyra funksionale që lidhen drejtpërdrejtë me hetimin dhe tashmë në rolin e drejtorit të shkollës së magjistraturës, ish-kryeprokurori Arben Rakipi e sheh me skepticizëm atë që po ndodh me reformën dhe në veçanti me pavarësinë e prokurorëve.
Ai tha, se prokurorit shqiptar nuk duhet që ti kërkohet llogari. “Prokurori shqiptar nuk i jep askujt llogari. Prokurori ka përgjegjësi para gjykatës.
Asnjë nuk mund ti thotë prokurorit se çfarë politike penale ai ndjek lidhur me dënimin, atij nuk mund ti thotë askush asgjë lidhur me politikën penale që ai ndjek me masat e sigurimit, asnjë nuk mund ti kërkojë llogari prokurorit se çfarë bëhet me masat që ai duhet që të marr në bazë të ligjit antimafia”, tha ai