Byroja Kombëtare e Hetimit ka hyrë në fazën finale. Ditën e djeshme u zhvillua faza e parë e intervistës me gojë me gjysmën e kandidatëve, ndërsa sot do të jetë me pjesën tjetër.
Pas kësaj faze emrat e kualifikuar do i nënshtrohen testit të poligrafit dhe më pas do të verifikohet figura e tyre dhe pasuria.
Por teksa BKH vijoi me procedurat e formimit të administratës, dje u mbajt seanca e parë në Gjykatën Administrative, ku një prej kandidatëve të skualifikuar ka paditur BKH. A.E, pretendon për parregullsi në procesin e përzgjedhjes së 60 oficerëve që do të punojnë në FBI-në shqiptare. Ai, kërkoi bllokimin e garës edhe pse BKH e pranoi gabimin në skualifikimin e tij nga gara, por gjithçka është pezulluar nga Administrativja.
Përpos tij, Komisioni i Vlerësimit në BKH është paditur edhe nga 6 aplikantë të tjerë, të cilët pretendonin se ka pasur manipulim në rezultatet e garës, sidomos për testin fizik. Për pretendimet e kallëzuesit, reagoi vetë BKH-ja, e cila pranonte gabimin duke ia lënë “fajin” programit Exel dhe shtoi se kandidati kishte të drejtë për ankesën e bërë dhe se do të përfshihej në testin e shkrimit të esesë.
“Komisioni i Përzgjedhjes me qëllim përmbushjen në mënyrë të saktë, të drejtë dhe transparente të detyrave që vijnë me rolin e tij në procesin e rekrutimit të hetuesve të BKH-së, si dhe pasi mori disa ankesa prej kandidatëve, ka kryer rishikimin e të gjithë dokumentacionit të kandidatëve të cilët morën pjesë në testin e aftësive fizike. Prej këtij rishikimi të dytë të proces-verbaleve rezultoi se, si pasojë e një gabimi njerëzor, një kandidat i vlerësuar me pikë të mjaftueshme kualifikuese është vendosur gabimisht në listën e të skualifikuarve në programin Excel gjatë përpunimit të të dhënave prej Sekretarisë Teknike.
Si pasojë, kandidati nuk është ftuar në fazën tjetër të rekrutimit. Në këto kushte, dhe në përputhje me parashikimet e Rregullores, kandidati i përmendur më lart i nënshtrohet Testit të Shkrimit të Esesë. Të gjitha rezultatet e tjera janë konfirmuar të sakta”, thuhej në deklaratën e BKH. Në faqen e Byrosë është publikuar dhe rregullorja e përzgjedhjes së kandidatëve, ku jepen detaje se si është arritur te lista finale.
“Rregullorja në fuqi, e miratuar prej BKH-së, parashikon rregulla të qarta dhe të detajuara për vlerësimin e kandidatëve për hetues në BKH. Komisioni i Përzgjedhjes është tërësisht i angazhuar të zbatojë kërkesat e Rregullores nëpërmjet një procesi të drejtë dhe transparent. Të gjithë hapat e procesit të rekrutimit po monitorohen prej një Komisioni Ndërkombëtar për të siguruar ruajtjen e standardeve me të larta”, njofton BKH.