Byroja Kombëtare e Hetimit do të jetë në duart e amerikanëve. SPAK po jep sinjale se nuk do tolerohen zyrtarët e korruptuar, por me futjen në lojë të Byrosë së hetimit situata do të jetë shumë më ndryshe.
Hetuesit nisën punën të hënën, por duket qartë se SHBA po investon shumë në këtë projekt. 27 hetuesit u trajnuan për më shumë se 4 javë nga përfaqësues të SHBA, mes të cilëve dhe agjentë të FBI. Gazeta “Sot” ka siguruar emrin e një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të FBI, që u mor me trajnimin e hetuesve të BKH.
Bëhet fjalë për zonjën Irene Rodriguez, e cila është shefe seksioni për inteligjencën për operacionet ndërkombëtare në FBI. Në këtë post ajo është emëruar në shkurt të 2017 dhe sipas të dhënave në internet, drejton një grup analistësh në zyrat e FBI me qëllim mbledhjen e informacioneve dhe rritjen e bashkëpunimit me shtete partnere, duke ofruar asistencë, trajnime dhe shkëmbime eksperiencash.
Më herët ajo ka mbajtur një sërë postesh të tjera sidomos në degët e FBI në vende të ndryshme. Zonja në fjalë ka pasur një rol të rëndësishëm në trajnimin e hetuesve të BKH, të cilët duket se do të ecin sipas modelit të FBI. Në ceremoninë e diplomimit, zonja Rodrigues u falënderua edhe nga vetë zv/ambasadori Demian Smith.
Sipas burimeve, përfaqësuesit e FBI dhe të ambasadës do të zhvillojnë një trajnim të ngjashëm edhe me grupin e dytë të hetuesve. Vetëm 27 persona u kualifikuan dhe duhen 33 të tjerë që të plotësohet numri 60. Grupi i dytë është në fazën e përzgjedhjes dhe plani është që në fund të viti gjithçka të jetë gati. Ndërkohë BKH do jetë në proces të vazhdueshëm trajnimi dhe agjentët mund të udhëtojnë dhe në SHBA. Kjo tregon qartë se SHBA është e vendosur për të goditur të korruptuarit në të gjithë nivelet.
Detajet e trajnimit
Nëse futemi te faqja zyrtare në internet e akademisë së FBI në Virxhinia, tregohen detaje se si bëhen trajnim të zyrtarëve të ndryshëm nga shtetet partnere, përfshirë dhe Shqipërinë.
“Temat e zgjedhura për programin e trajnimit për drejtuesit vendorë dhe ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit përfshijnë: tendencat e politikës, ekonomisë dhe faktorëve socialë kombëtarë e ndërkombëtarë që ndikojnë në funksionimin e policisë; etika dhe integriteti; rekrutimet në punë, ryshfeti dhe politikat promovuese; marrëdhëniet me median; marrëdhëniet e punës; financimi i operacioneve policore; trajnime për çështjet ligjore dhe ndikimi i veprimtarisë kriminale në polici”, thuhet në dokument.
Ekspertët e FBI amerikane do të synojnë t’i përgatisin hetuesit tanë të BKH që një vëmendje të veçantë t’i kushtojnë edhe korrupsionit. Përmes programeve të trajnimit, anëtarët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të mësojnë sesi të bien në gjurmët e parave të korrupsionit dhe ta luftojnë këtë fenomen në tërësi./Kliti Topalli