Në janar të këtij viti në Itali hyri në fuqi ligji mbi faturimin elektronik për sipërmarrjet private. Bizneset italiane, subjekt i tatimit të vlerës së shtuar (TVSH) duhet ta gjenerojnë faturën në formatin dixhital XML, nëpërmjet sistemit të shkëmbimit (Sdi) të Agjencisë së të Ardhurave. Sistemi i faturimit elektronik ka ulur mundësitë për sipërmarrjet që operojnë në Itali që të shmangin taksat, duke rritur indirekt barrën fiskale. Agjencia e të Ardhurave në Itali raporton se vetëm për dy muajt e parë të këtij viti, falë faturimit elektronik ka kapur blerje fiktive prej 3.2 miliardë euro, duke zbuluar një evazion fiskal prej 668 milionë euro në TVSH.
Fattura elettronica, scoperta evasione fiscale da 668 milioni di euro
Por, nga kjo situatë duket se po del e përfituar Shqipëria. Prej shtrëngimit të masave fiskale në vendin fqinj, bizneset italiane “po dynden” në Shqipëri, dhe po kërkojnë hapjen e ndërmarrjeve kryesisht në sektorin e tekstileve e këpucëve, por edhe në call center, si një mënyrë për të kaluar një pjesë të të ardhurave në Shqipëri, ku taksat janë më të ulëta dhe marrëveshja e shmangies së taksimit të dyfishtë u mundëson atyre që të paguajnë më pak taksa për pjesën e aktivitetit në Shqipëri.
Flamur Hoxha, administrator i kompanisë së prodhimit të veshjeve Kler, thotë se ky fenomen ka filluar të vërehet në 4-5 muajt e fundit. Hoxha thotë se ishin disa faktorë që kanë ndikuar në ardhjen e këtyre bizneseve në Shqipëri, një prej të cilave edhe hyrja në fuqi e ligjit për faturimin elektronik.
Ndër të tjera ai shton se arsye tjetër ka qenë sforcimi i bizneseve që operojnë në vendet e BE-së, si Italia, Rumania dhe Bullgaria.
Në Rumani dhe Bullgari, kostot e operimit e ndërmarrjeve fason kanë shkuar sa 70-80% të kostove të operimit në Itali, çka e bën të paleverdishme për bizneset të vijojnë aktivitetin në këto shtete, megjithëse kanë investuar në shuma të larta për ngritjen e kapanoneve me kapacitete të mëdha prodhimi.
Tjetër faktor sipas Hoxhës është edhe braktisja masive Rumanisë dhe Bullgarisë. Për shkak se këto vende janë pjesë e BE-së dhe kanë lëvizje të lirë të krahut të punës, në këto dy shtete është bërë pothuajse e pamundur sigurimi i krahut të punës.
Bizneset italiane që po zhvendosen në Shqipëri në fasoneri po vendosen në zonat periferike të Tiranës dhe parashikojnë që deri në vitin e ardhshëm numri i të punësuarve të shkojë deri në 200 të punësuar për 1 kompani,- thotë Hoxha. Megjithatë ai thotë se do të ishte më mirë që këto sipërmarrje të reja të vendoseshin në qytetet e vogla të Shqipërisë, pasi në edhe në periferitë e Tiranës dhe Durrësi gjetja e forcës punëtore po bëhet e vështirë.
Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2017 kishte rreth 6,300 ndërmarrje të huaja në Shqipëri. Gjatë vitit 2017, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta nga Italia dhe Greqia zënë, 54,0 % të ndërmarrjeve të huajagjithsej, si dhe 58,7 % të të punësuarëve. Ndërmarrjet nga këto shtete, realizojnë 59,5 % të eksporteve dhe 50,8 % të importeve nga totali i import/eksporteve të ndërmarrjeve të huaja.
Shqipëria atraktive, pagën minimale më të ulët në rajon dhe BE
Kostot e ulëta të punës dhe pagat janë një tjetër arsye për tërheqjen e investitorëve të huaj në Shqipëri. Paga minimale në Shqipëri është 211 euro, më e ulëta në rajon dhe Bashkimin Europian, ndërsa në Maqedoni 240 euro, sipas të dhënave të Eurostat, që i referohen janarit 2019. Në Serbi është 308 euro.
Në Bullgari dhe Rumani, paga minimale është rritur me shpejtësi pas hyrjes së dy vendeve në Bashkimin Europian.
Në vitin 2009, në Bullgari paga minimale ishte 123 euro dhe në Rumani 149 euro, në nivele të ngjashme me Shqipërinë, që po në 2009-n kishte një pagë minimale prej 137 eurosh, që madje ishte dhe më e lartë sesa e Bullgarisë.
Sot, sipas Eurostat, paga minimale në Bullgari ka arritur në 286 euro, ndërsa në Rumani është rritur ndjeshëm, në 446 euro, duke qenë sa dyfishi i pagës aktuale minimale në Shqipëri prej 211 euro.
Sektorë të tillë si industria tekstile e këpucët (që punojnë kryesisht m fason-regjimi i përpunimit aktiv) dhe call center kanë si kosto kryesore atë të fuqisë punëtore, ndaj paga e ulët mbetet një tërheqje e lartë për sipërmarrjet e huaja./Monitor