Pas turit dy ditor në gjithë rajonin, kryeministri shqiptar ka ftuar liderët e Ballkanit Perëndimor në një drekë informale këtë të hënë në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar: katër kryeministra të rajonit, ajo e Serbisë Bërnabiç, kryeministri maqedonas Kovaçevski, shefi i qeverisë malazeze Abazoviç dhe kryeministrja e Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo. Në takim do të marrë pjesë edhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Ftesë ka marrë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, por edhe pas përpjekjes së Varhelyi, ai ka zgjedhur të shkojë në një simpozium ndërkombëtar që po mbahet në Greqi, ku Shqipëria prezantohet nga një grup të organizatave joqeveritare të kryesuar nga Remzi Lami.
Mësohet se në takimin e liderëve rajonit në Tiranë nga qeveria e Kosovës ishte konfirmuar ardhja e zëvendës kryeministrit Besnik Bislimi. Por ky takim i Bislimit me krerët e rajonit nuk do të jetë i mundur për shkak të protokollit.
Zëvendëskryeministrit të Kosovës i është komunikuar nga organizatorët e takimit se niveli i tij është dytësor dhe jo i përshtatshëm dhe se dosja e takimit do t’i dërgohet me poste të sigurt qeverisë së Kosovës, përkatësisht zyrës së kryeministrit.
Këto mbledhje koordinuese kanë për qëllim që rajoni të krijojë një plan të përbashkët veprimi kur në tetor të ulet në tryezë përballë Bashkimit Evropian.
Veç sigurisë dhe gjeopolitikës në tërësi, Ballkani Perëndimor është i etur për fonde evropiane dhe ato jepen kryesisht për projekte të mëdha që ndërlidhin vendet, ndaj secili shtet nuk mund të shkojë me kërkesat e veta, por me një plan të përbashkët me fqinjët.