Për herë të parë pas kaq vitesh, Doktori postoi një lajm se kishte pritur një ambasador në zyrën e tij.
Bëhej fjalë për ambasadorin hungarez.
Bilushi i Metës mendoi ta ndante këtë lajm me miqtë e tij, pasi ju duk një zhvillim interesant:
“Të dashur miq!
Siç e patë, lajmet se Doktori është izoluar nga çdo ambassador, nuk qëndrojnë.
Ai priti në zyrën e tij ambasadorin hungarez.
E dimë të gjithë se Xhorxh Sorosi ka qëllim të shkatërrojë Hungarinë dhe ka lëshuar kundër saj disa liderë europianë.
Por Hungaria i ka dhënë përgjigjen e saj.
Tek Doktori, Hungaria shikon luftëtarin e paepur kundër Sorosit, që i ka hapur sytë dhe Hungarisë.
Nga ana tjetër, sot Doktori është shembull i qendresës ndaj diktaturës së Sorosit, që ka marrë pushtetin në SHBA.
Ai është një model dhe frymëzimi ndërkombëtar për mënyrën se si po i reagon “Listës së Zezë” së Blinkenit, dhe sidomos për guximin që ka treguar, duke shpresuar të gjejë një avokat, që t’i hapë një gjyq në Francë, SHBA-së.
Nëse dhe kjo do të arrihet një ditë, SHBA merr fund si shtet lider në diplomacinë ndërkombëtare.
Falë kësaj beteje të pashembullt të Doktorit me diktaturën e Sorosit, Hungaria ka krijuar një fond solidariteti dhe ndihme ndaj personave me kontribute të tilla, duke i ofruar Doktorit në çdo rast azil politik në Hungari, dhe vazhdimin e betejës prej andej, bashkë me Gruveskin dhe ndonjë lider tjetër nga Shqipëria apo rajoni, të rrezikuar nga Sorosi”.