Deputeti Edmond Spaho është një politikan i vjetër, madje shumë i vjetër, megjithëse nuk ka bërë asgjë që të mbahet mend, nuk ka kryer kurrë një aksion politik, nuk ka hedhur asnjëherë një tezë politike, kurrë nuk ka mbrojtur një filozofi politike. Por, ai është, meqë kohët e fundit është bërë bilbilist.
E vetmja gjë, për të cilën do të mbahet mend në historinë politike moderne ky njeri i shkurtër është që në moshën pothuaj 70 vjeç i mbiu bilbili në gojë. E ka mbajtur në gojë me orë të tëra dhe nuk u lodh. Për këtë gjeti admirimin e udhëheqësit të partisë së tij, ndaj sot ka marrë zemër, ka çelur gojën, madje sulmon të tjerët, ashtu si bëhej dikur për të mbushur dosjet e Sigurimit të Shtetit. Ka ca pandehma që zotëria ka lidhje të vjetra me ato që sot në anglisht i quajmë “file”.
Së fundmi, zotëria sulmon Shpëtim Idrizin për kandidimin e Lajla Përnaskës në garën për Bashkinë e Tiranës. Zonja në fjalë është padyshim një nga gratë më të denja të politikës shqiptare, me shumë vlera, të cilën e mënjanoi partia që kërkon të marrë pushtetin me bilbilin në gojën e Mondit. Megjithatë, një njeri politik nuk mund të shmanget nga gara. Lajla Përnaska sot garon për Bashkinë e Tiranës, jo si Kandidate e PDIU-së ose si e quan Mondi i bilbilit në gojë partia e çamëve. Asaj i është lehtësuar kandidimi nëpërmjet firmës së deputetit Shpëtim Idrizi.
Meqë Mondi me bilbil në gojë qenka mërzitur përse nuk ankohet për Flamurin që e mbajti bilbilin në gojë para tij? A është Flamur Noka, i cili ka firmosur që të garojë komunisti Marko Dajti për Bashkinë e Tiranës? Po pse more Mondi i bilbilit në gojë, kur e bën Flamuri i partisë tënde quhet e drejtë, madje politikë, kurse për Lajla Përnaskën do e quajmë pazar? Po pse Mondi i bilbilit në gojë a duhet lënë një zonjë e nderuar e politikës jashtë garës, kur ajo dëshiron të provojë veten e mbi të gjitha programin e saj për kryeqytetin?
Po Marko Dajtin e komunistëve, ku e çon partia e konservatorëve? Apo shokët e dosjeve të Sigurimit i duam, se ata na e kanë futur bilbilin në gojë që në kohën e shokut Enver? /Nga Arben Llalla