Shtatë persona kanë vdekur dhe shumë të tjerë kanë mbetur të plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri në Vjenë, ndërsa policia ka konfirmuar për të shtëna pranë një sinagoge. Gjithçka ndodhi afër sheshit Schwedenplatz në qendër të Vjenës, raporton noa.al duke ndjekur zhvillimet në kohë reale përmes raportimeve nga Austria.
Sipas “Die Presse”, ishin 3 agresorët, njëri prej të cilëve vdiq pasi shpërtheu një brez me eksplozivë.
Raportohet se dy të tjerët kanë hyrë në një restorant dhe kanë marrë peng klientët.
Oskar Deutsch, i cili është në krye në komunitetit të hebrenjve në Vjenë, ka thënë se të shtënat kanë ndodhur në rrugën ku gjendet sinagoga kryesore e qytetit, mirëpo ende nuk është e qartë nëse ky institucion ka qenë shënjestër.
Sinagoga gjithsesi ka qenë e mbyllur në kohën e shtënave, ka thënë Deutsch.
Televizioni publik austriak ORF tha se vijon operacioni nga forcat e rendit vendase.
Karl Nehammer, ministri i Brendshëm i Austrisë, e ka përshkruar si “sulm terrorist” të shtënat me armë në qendër të Vjenës, që deri tani, sipas mediave austriake, kanë shkaktuar 7 viktima, mes të cilëve një polic.
Ambasada e Kosovës në Vjenë reagoi sonte duke lutur të gjithë qytetarët tanë që ndodhen në Vjenë, Zona Qender (Bezirk 1.) të qendrojnë në vende të sigurta, të evitojnë vendet dhe transportin publik. Në raste emergjente të telefonojnë policinë lokale në Numrin 133 apo ne numrin emergjent te ambasadës si vijon: +43 676 786186, apelon Ambasada e Kosovës në Vjenë.
Policia i ka bërë thirrje qytetarëve që të largohen nga qendra e qytetit dhe të shmangin “vendet publike dhe transportin publik” teksa kanë bërë thirrje që të mos shpërndahen pamje në rrjete sociale nga vendngjarja pasi kjo “mund të vejë në rrezik shërbimet e emergjencës dhe qytetarët”.