Një tufë të rinjsh, të bashkuar nën të njëjtën çati, për të bashkëvepruar nën një atmosferë jashtëzakonisht të zhurmshme me një degjenrim të vazhdueshëm, duke pirë, duke ngrënë dhe duke u zbavitur në mënyrë të papërmbajtshme dhe bisedat e turpshme sigurisht.
Ky është “Big Brother VIP 2” në Shqipëri.
Për producentët e këtij Reality Show, Shqipëria ka nevojë për këtë lloj shfrenimi idiotesk dhe imoral dhe e vetmja mënyrë sesi shoqëria shqiptare mund të gozhdohet përpara ekraneve është ky show. Ju lutem, mos më keqkuptoni, pasi nuk jam këtu për të bërë moral, por për të thënë atë që është e vërtetë dhe nëse dikush do thotë që nëse do moral, shko në kishë, atëherë i them që ai moral krijon një shoqëri normale dhe jo- anormale, ashtu si “Big Brother”.
Vlera është ajo që unë dhe shumë të tjerë paguajmë për të parë. A ka sjellë ndonjë vlerë “Big Brother VIP 2”? Unë them jo, sepse asgjë të tillë nuk kam parë ende, sepse gjithçka që promovojnë janë një grup të rinjsh që flenë, flasin pafund për tema banale pastaj të gjithë presin ditën e daljes nga ky “show”. Ndërsa shoqëria botërore ka dhe të këqijat dhe të mirat e saj, ne si Shqipëri dhe sigurisht me media të tilla, paraqesin vetëm antivlera.
Sa % është kontributi i atyre personazheve në “Big Brother” që kanë kontribuar në shkencë apo në art? Kur do ndërtojmë biçikletën e parë, Made in Albania? Kjo mund të tingëllojë e pamenduar, por një shfaqje si “Big Brother VIP 2”, me kaq shumë imoralitet, mund të influencojnë për keq mendjet e një shoqërie jo fort krijuese dhe reaguese. /KOSTANDIN LUÇI