Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha pranoi për herë të parë humbjen e forcës së tij politike në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022 dhe se është i gatshëm për të bërë gjithçka në të mirë të selisë blu, por refuzoi të dorëhiqej nga drejtimi i PD.
Në daljen e tij për mediat para selisë blu, Basha tha se partia më e madhe opozitare po hyn në proces reflektimi për të analizuar arsyet e dështimit në zgjedhjet e së dielës në mënyrë që të dalë më e fortë. Ai premtoi se demokratët do të marrin në dorë fatin e tyre. Më tej kreu i PD pranoi më në fund se partia më e madhe opozitare humbi zgjedhjet e së dielës duke hedhur poshtë pretendimet se ai nuk kishte humbur asnjë garë elektorale gjatë karrierës së tij politike.
Basha tha se për të realizuar procesin e reflektimit të partisë së qendrës së djathtë shqiptare, po mbledh strukturat partiake. Më tej, ai konsideroi se 6 marsi duhet të shërbejë si mësim i madh për PD që të jetë sa më e fortë për t’u përballur me regjimin e kryeministrit Edi Rama. “Jemi në një proces reflektimi të brendshëm, disa prej tyre kanë kërkuar edhe analizë specifike për 6 bashkitë.
Ju siguroj që demokratët do të marrin në dorë fatet e tyre. Partia Demokratike do të dalë nga ky proces e fortë dhe e bashkuar. Ky është synimi dhe në funksion të tij që është detyra dhe përgjegjësia ime, jam i gatshëm të ndërmarr çdo hap që Partia Demokratike të jetë e fortë, e bashkuar dhe të dalë nga humbja e 6 marsit pa humbur mësimin e madh të tij, që është domosdoshmëria për të qenë sa më të fortë dhe sa më të bashkuar përballë këtij regjimi”, u shpreh fillimisht lideri i opozitës, Lulzim Basha.
Ja 15 deputetët që e tradhtuan
Por humbja dramatike në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit ka krijuar me shpejtësi një grup të ri kundërshtar në Partinë Demokratike kundër Lulzim Bashës. Gazeta ka mësuara se grupi i ri që kërkon dorëheqjen e Lulzim Bashës pas gjashtë humbjeve radhazi, përbëhet nga të paktën 15 deputetë të PD-së, të cilët gjithsesi vijojnë të mbeten të distancuar nga lëvizja e Berishës.
Bashkë me grupin e Berishës, sot janë 31deputetë nga 59 deputetë që mori PD-ja në zgjedhjet parlamentare të 2021, të cilët kërkojnë largimin e Lulzim Bashës. Kreu i PD-së Lulzim Basha praktikisht e ka humbur mbështetjen e shumicës së deputetëve demokratë. Nisur nga protagonzimi mediatik dhe politik i tre ditëve të fundit, lëvizja e re anti-Basha po kryesohet nga deputetja Grida Duma, e cila është konsideruar si mbështetja më e zjarrtë e Lulzim Bashës deri në 6 mars 2022.
Përpos Grida Dumës, e cila mund të ketë edhe ambicie për të marrë drejtimin e PD-së, befasi politike përbën Ervin Salianji, i cili është pozicionuar kundër Bashës. Salianji tha se “Lulzim Basha e ka humbur mbështetjen, fatkeqësisht si kryetar partie është barrë e rëndë për opozitën!”. Ditën e djeshme u pozicionua kundër Bashës edhe deputetja demokrate e Matit, Dhurata Çupi, e cila i kërkoi dorëheqjen.
Dorëheqjen Lulzim Bashës ia ka kërkuar edhe deputetja demokrate, Ilda Dhori. Sinjale për pozicionim kundër Bashës ka dhënë edhe deputeti Agron Gjekmarkaj, i cili deri para 6 marsit 2022 ishte një zë me peshë pro Bashës dhe kundër Berishës. Deputeti i Beratit, Tomor Alizoti është pozicionuar hapur kundër Lulzim Bashës, madje duke e konsideruar këtë të fundit si psikik. Dashnor Sula, Ferdinant Xhaferri dhe Helidon Bushati janë tre deputetë të tjerë, të cilët nuk e shohin më Lulzim Bashën si kryetar të ardhshëm të Partisë Demokratike.
Lulzim Basha është braktisur edhe nga deputeti dhe ish kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu, i cili i kërkoi dorëheqjen si kryetar i partisë. Edhe deputetja e Shkodrës Emilia Koliqi i ka kërkuar Lulzim Bashës të largohet nga kreu i partisë, si kusht për të bashkuar Partinë Demokratike.
Deputeti që përfaqëson Velipojën, Ramadan Lika, ka hedhur poshtë pretendimin e Bashës se nuk i ka humbur zgjedhjet dhe se nuk mban përgjegjësi, ndërsa deputetja e Lezhës Elda Hoti i ka kërkuar hapur largimin e tij. Tre deputetë të tjerë, Lefter Gështenja, Kasem Mahmutaj dhe Selaudin Jakupllari kanë shprehur kritika ndaj Bashës, ndonëse nuk janë deklaruar për dorëheqjen e tij.