Deputeti demokrat i Kukësit, Flamur Hoxha beson se nëse do thellohet edhe më tej konflikti brenda partisë më të madhe opozitare, Partia Demokratike rrezikon që të mos vijë në pushtet as në 10 vitet e ardhshme.
Në një intervistë për një televizion, Hoxha e shikon krizën e ardhshme të PD në situatën aktuale ku po zhvillohen për strukturat e brendshme nga Komisioni i Rithemelimit. Për deputetin demokrat, ky proces është përjashtues dhe nuk ofron asnjë mundësi për bashkimin e demokratëve.
Lidhur me zgjedhjet e kryetarëve të rinj të strukturave demokratë në Fier, Mallakastër, Fushë-Krujë, Selenicë, etj, Hoxha kërkoi që ky proces të ndërpritet menjëherë për shkak të pjesëmarrjes së ulët, shpejtësisë kohore dhe njëanshmërisë nga ana e “Foltores”.
“Nëse vazhdojmë kështu, ndoshta edhe për një dekadë do jemi në opozitë. Jam skeptik për bashkimin duke parë tendencën e shumë anëtarëve të Komisionit të rithemelimit, që prevalon drejt interesave të ngushta për një parti demokratike.
Gjykoj dhe mendoj se është proces i njëanshëm që nuk bën bashkimin e PD. Fakti që vetëm një pjesë e vogël e PD mori pjesë në këtë proces, demonstron që pakica i bashkohet këtij procesi. I referohem zgjedhjeve të djeshme në Fier. Nga rreth 5000 anëtarë të PD në këtë degë, morën pjesë vetëm 806 anëtarë, pjesëmarrja për zgjedhjet e kryetarëve të partisë është vetëm rreth 14%. Është proces i shpejtë, i nxituar dhe për mendimin tim duhet të anulohet”, u shpreh fillimisht deputeti demokrat Hoxha.
Hoxha për Berishën dhe Bashën
Për sa i përket kërkesave nga kreu i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj dhe Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi dhe disa deputetëve të tjerë që ish-kryeministri Sali Berisha të mos marrë pjesë në mbledhjet e grupit parlamentar dhe të mos garojë për lider të partisë, Hoxha e quajti Berishën një kontribuues të partisë më të madhe opozitare dhe nuk mbështet përjashtimin e ish-liderit historik demokrat.
“Kjo është një pyetje që do kohë, reflektim dhe angazhim, por ajo që mund të them që mbetet kontribuues dhe nuk më takon të bëj një përjashtim të tillë”, tha deputeti.
Për sa i përket takimeve të ish-kreut të PD Lulzim Basha me drejtues dhe anëtarë demokratë që prej dorëheqjes në 21 mars, Hoxha nuk e konsideroi lëvizjen e Bashës si përçarës. “Të jesh pranë demokratëve, nuk do të thotë se i fryn zjarrin”, përfundoi fjalën e tij deputeti i PD në Kukës, Flamur Hoxha.
Kapllanaj: Me Berishën në krye, PD do jetë dhe 10 vjet në opozitë
Nga ana tjetër ish-kryetari i degës së PD të Fierit, Agron Kapllanaj këmbënguli që ish-kryeministri Sali Berisha të mos rikthehet në drejtimin e partisë për shkak se me statusin “non grata” penalizon PD. Në një studio televizive, ai theksoi se nëse Berisha rimerr zyrtarisht drejtimin e partisë më të madhe opozitare, kjo forcë politike do të qëndrojë në opozitë dhe për një dekadë tjetër.
“Nuk kam asgjë personale me Sali Berishën, betejat i bëj parimore. Nuk mundemi që në krye të PD të rikthejmë një figurë që është konsumuar dhe s’ka risi të sjellë më në PD. Nuk mund të shkoj pas një “non grate”, pasi vetë Berisha personat që kanë qenë “non grata-s” ka kërkuar që të largohen nga politika. S’mund të bëjmë përjashtim për Berishën, pasi edhe PD shpallet “non grata” dhe le ta lëmë Ramën të rrijë në pushtet edhe për 10 vite”, deklaroi për Berishë, Agron Kapllanaj.
Për ish-kreun e PD, Lulzim Basha, ish-kryebashkiaku i Mallakastrës zbuloi se i shprehu Bashës në mbledhjen e fundit si kryetar i PD që ai dhe Berisha të largoheshin nga PD një ditë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021. “Zoti Basha është ish-kryetar i PD. Unë s’kam lidhje me kryetarin, unë jam te PD dhe te institucioni. Unë kam qenë një nga zërat kritikë edhe ndaj zotit Basha, qoftë në mbledhjet, por edhe tek e tek.
Çfarë kam pasur rezerva ndaj tij, ia kam thënë edhe publikisht. I kam kërkuar në mbledhjen e parafundit që të largohet nga PD, pasi nuk i bashkonte dot demokratët. I kam thënë se ju dhe zoti Berisha duhet të largoheshit në 26 Prill”, deklaroi ish-kryetari i degës demokrate të Fierit, Agron Kapllanaj.
Sugjerimi për grupin parlamentar
Ndërkohë për krizën e brendshme të partisë, Flamur Hoxha sugjeron që të mblidhen të gjithë deputetët demokratë, edhe ata të përjashtuar nga Kryesia e partisë në 11 janar. Ai beson se PD mund të rikthehet në pushtet nëse çdo deputet paraqet platformën e vet për menaxhimin dhe drejtimin e partisë duke hequr njëkohësisht dorë nga interesat personale. Një PD e hapur dhe e rinovuar mund të kthehet në të ardhmen në forcë qeverisëse të Shqipërisë.
“Nuk gjykoj që grupi parlamentar duhet të përjashtojë nga vetvetja. Çdo deputet duhet të ketë një platformë. Duhet të jemi koherentë në qëndrimet tona, ne bashkë ishim edhe pas 25 prillit, ku secili nga ne nuk mori përgjegjësitë dhe nuk bëmë një analizë për përgjegjësitë tona.
PD ka patur gjithmonë nevojë që të rinovohet, të jetë përtej interesave personale të atyre të cilët heshtën dhe nuk dolën mbi veten për t’i dhënë një leksion PD për të qenë një parti e hapur, sepse vetëm kështu PD mund të bëhet një forcë qeverisëse”, vazhdoi më tej Hoxha.