Zv/ministri i Ekonomisë dhe Financave, Besart Kadia, foli sot në Opinion për çështjen më të “nxehtë” të ditës.
Shpërndarja e pagave të 637 mijë shqiptarëve dhe pasja akses nga kushdo, sipas Besart Kadisë, është një akt kriminal.
Ai shtoi se nxjerrja e këtyre të dhënave zyrtare të qytetarëve do të shkaktojë konflikt social.
“Janë marrë disa pjesë të caktuara që i ka interesuar për t’i bërë publike. Ky person që e ka nxjerrë ka bërë një akt kriminal. Më shqetëson pabarazia, por kjo është një çështje për të cilën duhet të flitet më vonë.
Po hetohet kjo çështje, ka qindra sulme kibernetike që i ndodhin shtetit shqiptar sot. Po të shihni të dhënat, sulmet më të mëdha nuk janë fizike, por sulme kibernetike për të shkaktuar dëme të mëdha ekonomike.
Këto janë të dhëna zyrtare që qytetari nuk duhet t’i dijë, kjo shkakton konflikt social. Të nxjerrësh pagën e tjetrit në rrjetet sociale është abuzim. Prokuroria duhet të çojë hetimin deri në fund. Duhet të ketë aktorë të specializuar për këtë hetim. Ai që ka qenë kaq shejtan, diabolik apo ku di unë, ka shkaktuar dëm të madh,” tha Kadia.