Historiani dhe studiuesi i njohur amerikan i historisë shqiptare, Bernd J. Fischer i ka dhënë dje një “shuplakë” të fortë ish-kryeministrit Sali Berisha, duke rrëzuara alibinë e këtij të fundit se Departamenti Amerikan i Shtetit e ka shpallur atë “non grata” pa pasur asnjë provë dhe fakt.
Gjatë një intervistë për “Vox News”, studiuesi i njohur amerikan zbuloi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë prova të mjaftueshme për korrupsionin e Berishës dhe për këtë nuk kanë asnjë arsye pse ta tërheqin vendimin që e shpallën “non grata” ish-kryeministrin, referuar zërave dhe këmbënguljes së ish-kryeministrit se ekziston mundësia që DASH ta “amnistojë” atë.
Sipas historianit Fischer, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken është një diplomat karrierë dhe se çdo vendim që merr e bazon në prova dhe fakte e jo mbi bazë lobimesh apo emocionesh. “Nuk kam informacion në lidhje me procesin që rezultoi në shpalljen non grata të zotit Berisha. Megjithatë, mund të them se vendimi nuk duhet të jetë marrë lehtësisht.
Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken është një person me integritet të lartë, i cili, besoj, se nuk do ta ndërmerrte një hap të tillë pa prova konkrete, veçanërisht duke kur merret parasysh se Shqipëria është një aleat i rëndësishëm dhe se zoti Berisha mund të bëhet sërish kryeministër.
Gjithashtu ka mundësi që ky të mos jetë veprimi i fundit i këtij lloji. Ndonëse kjo varet nga vetë populli shqiptar, unë do të sugjeroja që të merret në konsideratë një proces gjithëpërfshirës, për të kërkuar transparencë financiare për politikanët ose politikanët e mundshëm. Shqiptarët duhet ta dinë se liderët e tyre janë të besueshëm”, deklaroi ai.
Uashingtoni i vendosur për të çmontuar korrupsionin në Shqipëri
Më tej gjatë fjalës së tij, historiani dhe studiuesi i njohur amerikan i historisë shqiptare, Bernd J. Fischer ka ripërsëritur atë që jemi mësuar të dëgjojmë nga zyrtarët e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, se Uashingtoni i vendosur për të çmontuar korrupsionin në Shqipëri.
Referuar emërtesës “non grata”, sikundër është vendimi i DASH për ish-kryeministrin Sali Berisha, pasi akuzohet se është përfshirë në korrupsion madhor, zoti Fischer theksoi se ky fenomen është target i amerikanëve, insitutcionet të së cilit nuk e tolerojnë dhe e luftojnë me zero tolerancë.
“Po sigurisht që ka gjasa, duke marrë parasysh se Sali Berisha ka mjaft mbështetës të paepur. Por administrata aktuale amerikane është e përkushtuar ndaj mbrojtjes dhe zgjerimit të të drejtave të njeriut, si në SHBA ashtu edhe jashtë saj. Padyshim, korrupsioni, veçanërisht korrupsioni i nivelit të lartë, është një çështje e rëndësishme e të drejtave të njeriut dhe nuk mund të anashkalohet thjesht për të mbajtur marrëdhënie të mira ndërmjet shteteve”, u shpreh ai.
Shqipëri ka demokraci të plagosur dhe korrupsioni “lulëzon”
Por nuk ndalte me kaq, pasi teksa analizon situatën në Shqipëri, historiani dhe studiuesi i njohur amerikan i historisë shqiptare, Bernd J. Fischer theksoi se ndihet i keqardhur që shumë sektorë në vendin tonë kanë ngelur në vendnumëro dhe se korrupsionin “lulëzon”. Sipas tij, Shqipëri ka demokraci të plagosur. “Sipas meje, edhe lëvizjet e kryeministrit Rama janë disi me dritë-hije. Ashtu si zoti Berisha, edhe ai ka pasur shumë arritje, veçanërisht në politikën e jashtme.
Nën qeverisjen e tij, Shqipëria bëri progres në statusin e anëtarit kandidat për në BE. Ai ka qenë një shtysë për bashkëpunim dhe stabilitet rajonal. Zoti Rama ka mbajtur përgjithësisht marrëdhënie të mira me fqinjët e Shqipërisë dhe ka punuar për të forcuar lidhjet me shtete me qasje disi kundër Shqipërisë.
Gjithashtu, ai ka dëshmuar të jetë një anëtar i palëkundur i aleancës perëndimore. Për sa i përket çështjeve të brendshme, sërish ka pasur suksese, por ka hapësirë të konsiderueshme për përmirësim. Politika në Shqipëri mbetet disi jofunksionale, shërbimi civil nuk ka arritur ende pavarësinë e nevojshme dhe sundimi i ligjit mbetet i dobët. Korrupsioni është, gjithashtu, problem serioz dhe liria e medias, duket se, është në rënie.
Megjithatë, pata kënaqësinë të shoh se, vitin e kaluar, Economist Intelligence Unit e cilësoi Shqipërinë si “demokraci me të meta” për herë të parë, ndryshe nga cilësimi i mëparshëm si “shtet hibrid”. Nga ana tjetër, Indeksi i Sundimit të Ligjit i Projektit Botëror të Drejtësisë e cilësoi Shqipërinë në rënie, ashtu si edhe Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International. Ndërsa unë kam qenë gjithmonë optimist për të ardhmen e Shqipërisë e mbetem i tillë, elita politike e Shqipërisë nuk ka arritur ende stabilitetin ekonomik, social dhe politik të nevojshëm për të bindur qytetarët e saj se e ardhmja e tyre qëndron në Shqipëri dhe jo diku jashtë”, tha ai.
Berisha-Rama, 2 lider që dominojnë politikën shqiptare si Enver Hoxha
Ndërkohë i pyetur se çfarë mendon për faktin se Sali Berisha po kap Enver Hoxhën në krye të partisë dhe Edi Rama që po e drejton Partinë Socialiste për 17 vjet, historiani dhe studiuesi i njohur amerikan i historisë shqiptare, Bernd J. Fischer mori si shembull ish-presidentin amerikan, Franklin Roosevelt, duke lënë të nënkuptohet se pushteti është i ëmbël dhe se nuk mund të divorcohesh kollaj prej tij. “Për sa i përket jetëgjatësisë politike, liderët politikë të Shqipërisë nuk ndryshojnë nga ata kudo tjetër në botë. Pushteti politik është dehës dhe pakkush heq dorë prej tij vullnetarisht.
Shumica duket se besojnë se vetëm ata mund ta çojnë vendin e vet përpara. E vetmja mënyrë për ta parandaluar këtë, gjithmonë nëse shqiptarët mendojnë se është një synim i denjë, është vendosja e një lloj limiti kohor. Franklin Roosevelt u zgjodh president i SHBA-së katër herë dhe të tjerët do ta kishin tentuar diçka të ngjashme, nëse amendamenti i 22-të i kushtetutës amerikane nuk do ta ndalonte. Ndoshta kjo është diçka për t’u menduar edhe në Shqipëri”, nënvizoi historiani Fischer.