Deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha nuk gëzojnë mbështetje në popull. Ditën e djeshme në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha u tregua shumë i ashpër kur deklaroi se kryeministri Edi Rama meriton të goditet me plumb në ballë. Por për ish-kryetarin e Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi këto deklarata nuk i merr njeri seriozisht. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”,
Klosi deklaroi se Berisha e bën një thirrje të tillë për të bërë për vete popullin me akte të dhunshme. Sipas tij, ai dështoi me kërcënimet e tij për rrethim të Kryeministrisë derisa të dorëhiqet Rama dhe tani po provon kërcënimet me plumba. Klosi shtoi se opozita po kërkon të motivojë popullin dhe të tregojë që nuk është tërhequr nga aksioni për rrëzimin e qeverisë, edhe pse të shtunën dështuan. “Kjo deklaratë është një nga budallallëqet e radhës të Berishës, nuk duhen marrë seriozisht. Duan të motivojnë njerëzit e tyre sepse e panë që me deklaratat dhe kërcënimet se do të rrethojmë Kryeministrinë dolën blof. Kishin dy javë që thoshin që nuk do të ikim nga Kryeministria pa u larguar Rama, por nuk ia arritën. Tani kanë gjetur si term plumbin sepse plumbi duket pak më i rrezikshëm sesa rrethimi i Kryeministrisë. Ata duan të tregojnë që janë të egër dhe duan të motivojnë njerëzit e tyre me plumb”, u shpreh Fatos Klosi.
Djegia e mandateve
Ish-kreu i SHISH komentoi dje edhe planin e opozitës për të djegur mandatet. Për Klosin, një lëvizje e tillë është absurde sepse opozitarët po zgjedhin rrugën më të shkurtër. Klosi shtoi se opozita duhet të jetë në Parlament. “Është absurde për mua, praktikisht është një lëvizje që t’i shmangesh përgjegjësisë për të bërë opozitë. Kur nuk mund të bësh opozitë, djeg mandatet.
Është rruga më e shkurtër, në vend që të deklarohesh, të hysh, të dalësh nga Parlamenti, të shkosh nëpër komisione hera-herës, i djeg për ta mbyllur fare atë rrugë. Natyrisht shpresa dhe qëllimi i tyre është të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Meqenëse se sipas tyre, Parlamenti nuk mund të funksionojë pa opozitën. Sigurisht Parlamenti nuk është mirë të mos ketë opozitë, por kur opozita e zgjedh vetë këtë rrugë, opozita e bën vetë që të mos jetë në Parlament, atëherë nuk ka zgjidhje”, tha ai. Fatos Klosi deklaroi se synimi i opozitës përmes djegies së mandateve është arritja e zgjedhjeve të parakohshme sepse nuk i pëlqen të qëndrojë në opozitë.
Sipas Klosit, edhe këtë herë PD-LSI do të dalin blof sepse do të ndërhyjnë ndërkombëtarët. “Kjo do të ishte rruga më e lehtë kur një opozitë nuk e bën dot punën e saj, ajo kërkon zgjedhje të parakohshme dhe djeg mandatet. Është absurde, do të jetë një precedent absurd. Nuk ia del dot se nuk ke votat se je në opozitë se nuk të kanë zgjedhur dhe gjejnë termin “djegim mandatet”. Ata duan të largohen nga Parlamenti me shpresën se do të bëhen zgjedhje të parakohshme se më keq seç kemi dalë nuk do të dalim. Më duket absurde. Edhe pse ky vendim po merret në një moment që hapen negociatat, nuk dua ta besoj se bëhet për ta penguar këtë proces. Nuk dua ta besoj meqenëse është një ngjarje që të gjithë shqiptarët po e presin. Kështu që jam i sigurt që e gjithë bota do të prononcohet për të këtë zgjidhje që nuk e kanë dëgjuar ndonjëherë. Kështu që do të dalin blof”, deklaroi Fatos Klosi.
Mimoza Ibra