“Nëse Basha shkarkohet nga një kuvend që do ta mbledhë Berisha ky do ishte një veprim i rrezikshëm në kundërshtim me atë që kërkon SHBA”. Deputeti i Partisë Demokratike dhe sekretar i grupit parlamentar të saj, Arbi Agalliu, ka shpërthyer mbrëmë lidhur me situatën që po ndodh në PD. I ftuar në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në RTSH 24, Agalliu tha se një pjesë e atyre që morën pjesë në takimin me Berishën në Vlorë kanë qenë drejtorë që nuk dalin dot në qytet se u kërkojnë bakshishin që u kanë marrë njerëzve. Agalliu shpjegoi edhe situatën se si arriti kjo gjendje në PD. Më poshtë një pjesë e deklaratave të tij të dhënë për gazetarin Qafoku.
Zoti Agalliu cili është mendimi juaj për atë që po ndodh në PD pas shpalljes “non grata” të Berishës, përjashtimit të tij nga grupi parlamentar por edhe turit në bazë?
Kjo është një temë specifike që sa më shumë ta ngacmosh aq më shumë ndihmon në përçarjen e Partisë Demokratike nëse nuk e fut në ullukun e duhur. Unë besoj fort që u ka takuar dy njerëzve për ta zgjidhur këtë sikurse është zoti Basha dhe zoti Berisha. Në dijeninë time ka patur komunikime intensive për atë kërkesë që SHBA nëpërmjet ambasadores amerikane kanë bërë dhe që jemi sot në këtë moment ku ne jemi. Patjetër që Berisha në perceptimin tim personal është individ që unë e quaj nga politikanët më karizmatikë dhe njeriu që ka vendosur gur themeli në shtetin shqiptar. Në historikun e shtetit shqiptar qeverisja e Berishës nga 2005 deri në 2009 ka qenë më e suksesshmja. Unë nuk e lidh dot Berishën me korrupsionin. Që Berisha të ketë shkuar me valixhe siç ndodh sot me këtë administratë.
Dhe dje në atë administratën tjetër.
Po. Dhe një pjesë e asaj administrate të Partisë Demokratike ku indidvidë të caktuar kanë bërë atë korrupsion që mori atë ndëshkim Partia Demokratike.
Bravo që e the.
E them dhe nuk kam asnjë ngarkesë emocionale. Nga ana tjetër kemi një kërkesë nga SHBA që është bërë në mënyrë zyrtare por edhe në mënyrë konfidenciale zotit Basha. Përfaqësues të SHBA nuk kanë bërë artikulim diplomatik, por këtu flitet sikur flet një gjeneral dhe jo një diplomat. Ku i thuhet opozitës do të hash bar. Gjë që për mua është gjuhë e rëndë. Por një ambasador që përdor këtë gjuhë nuk besoj se e ka rastësi, tekë, apo kapje. Por besoj se dicka ka që flet në këtë lloj gjuhe. Duke patur si yll polar në formim dhe bindjen time SHBA, Basha ka qenë në një presion të jashtëzakonshëm.
A jenid akord me atë që Berisha po kërkon nëpërmjet një turi në bazë largimin e Bashës?
Zoti Berisha ka të drejtën e tij të bëj turin në Shqipëri, të artikulojë ato që mendon të gabuara, por unë personalisht për një gjë nuk jam dakord, gjuhën e përdorur.
Këtë gjuhë ka patur Berisha. Nuk ndryshon 77 vjeç.
Unë mendoj se gjuha që përdor Berisha nuk duhet përdorur brenda familjes. Sepse ndryshimi i gjuhës në mënyrë drastike mua më dhemb dhe më vret si çdo demokrat.
Si mund të zgjidhej kjo situatë?
Zgjidhja duhet mes Berishës dhe Bashës. Dhe se si, e dinë vetë ata.
Ju jeni deputet i Vlorës. Nuk keni qenë në takim me Berishën pak ditë më parë por disa eksponentë të rëndësishëm të PD ishin aty si Bujar Leskaj por edhe kryetari i degës, kryetarja e gruas, kryetarja e forumit dhe të tjerë. Ishin stafi juaj që keni punuar në fushatë. Si e shpjegonin ju këtë mbështetje të madhe?
Unë besoj se të gjithë personat e nderuar që përmendët kanë të drejtën e tyre të jenë aty. Por nga ana tjetër unë e shoh të gabuar fryrjen dhe gjuhën e përdorur. Sepse i shërben në mënyrë indirekte çarjes së Partisë Demokratike.
Po me zotin Leskaj çfarë biseduat për prezencën ose jo në takimin e Berishës?
Janë biseda që duhet të ruajmë etikën. Janë konfidenciale.
Po nuk ishin pak në takim me Berishën. Çfarë domethënie ka kjo?
Po. Ishin 500. Por mund të thyem se më shumë se 1500 anëtarë të PD nuk e donin kurrë atë takim. Nuk është kjo çështja.
Përse një pjesë e bazës shkojnë në takime me Berishën? Përse janë aty?
Janë aty se një pjesë nuk i vendosi Lulzim Basha në lista. Një pjesë janë të nderuar por shumë prej tyre janë persona që kanë kontribuar që me sjelljen e tyre korruptive që PD të ikte nga pushteti.
Po si mund ta thoni këtë. Në takime me Berishën ka qenë gjithë drejtuesit e qarkut të Vlorës.
Kryetari i PD të Vorës është djalë i mirë por nuk ka punuar një ditë.
Po përse e mbështesin Berishën?
Persona të caktuar, drejtues të Partisë Demokratike, persona të caktuar që kanë mbajtur pozicione në qytetin e Vlorës. 33 drejtori ka patur Vlora. Sot nuk guxojnë të dalin në qytet. Shkoni dhe pyesni sa perosna nga ju drejtorë kanë dalë në fushatë për të kërkuar votën. Se kishin frikë se u kërkonin bakshishin që kishin marrë kur ishin drejtorë.
Partia Demokratike ka një ndarje në këto momente me Bashën dhe Berishën.
Jo pa vetëm PD. Me të mirat dhe të këqiat ka vetëm Parti Demokratike. Unë i njoh të gjitha kontributet e Berishës. Kurrë, e them dhe një herë, kurrë nuk e lidh dot figurën e tij me korrupsionin. Por ama jam për të vijuar betejën krahas Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe PD nuk e ka luksin sot të bëjë beteja brenda saj. Berisha nuk është përjashtuar nga anëtarësia Ai është edhe anëtar i Këshillit Kombëtar. Ka qenë një verë intensive me bisedime mes Berishës dhe zoti Basha për këtë çështje.
Në këto kushte a duhet të japë dorëheqjen zoti Basha?
Do vi dikush tjetër në PD të cilit do ti kërkojnë përsëri të njëjtën gjë SHBA.
Përse ta krahasojmë me sindromën e Enver Hoxhës me Ramiz Alinë?
SHBA thotë që kushdo tjetër kryetar ata nuk lëvizin nga kërkesa e tyre.
A do mblidhet kuvendi? Dhe nëse mblidhet sipas asaj që kërkon Berisha, sa janë gjasat që Basha të shkarkohet nga drejtimi i PD?
Gjasat për të marrë vendime që shkojnë kundër asaj që kërkon SHBA edhe mund të ndodhin, por janë me pasoja të rënda për PD. Vendime të tilla janë të rrezikshme.