Ilir Meta dhe Sali Berisha janë jashtë “axhendës” së SHBA dhe BE, dhe nuk mund të quhen më faktorë relevantë në Shqipëri.
Presidenti i Republikës në një vend normal, ku ka krizë politike, duhet të luajë sëpaku dhe formalisht rolin e tij si interlokutor dhe si “arbitër” mbi palët.
Deri më tani Ilir Meta si kryetar shteti nuk e ka lozur këtë rol, jo se nuk ka dashur por sepse nuk e kanë lejuar për arësye të ndryshme.
Shkaku i parë që ka një gjendje të tillë të trysnuar të Metës, i cili ka kaluar jo në rolin e aktorit për të zgjidhur krizën politike, por të konstatuesit, është konflikti i interesit.
Partnerët tanë ndërkombëtarë, politika shqiptare dhe qytetarët e këtij vendi, më shumë se President të Republikës, Ilir Metën e shohin si burrin e Monika Kryemadhit.
Kjo ka ardhur dhe për shkak të disa deklaratave të tij në të njejtën gjatësi vale me opozitën për djegien e mandateve, krizën politike, institucionale dhe ekonomike si dhe zgjidhjet që ofron.
Arsye tjetër është se partnerët tanë ndërkombëtarë e kanë shmangur totalisht Ilir Metën, duke i hequr shansin të luajë rolin e tij si President dhe për t’u involvuar si palë mbi palët, për të zgjidhur krizat e shpeshta në Shqipëri, për shkak të zullumeve që ai ka bërë.
Duket se me afrimin e ngritjes së SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, po synohet që Meta të jetë sa më i “zhveshur” nga të gjitha atributet presidenciale, për të qënë ‘gati’ përballë drejtësisë.
SHBA dhe BE nuk ia falin lobimin me para ruse, bashkëpunimin me krerët e ish krerët autokratë të Ballkanit të financuar nga rusët dhe zullumet që ka bërë.
Ndërkohë që Sali Berishën e kanë nxjerrë tërësisht jashtë loje, për shkak të politikës së tij kundër SHBA e BE, radikalizimit të situatës politike në Shqipëri dhe presionit që ka ushtruar e ushtron mbi Lulzim Bashën.
Për këtë arësye, SHBA pasi e ka shpallur “non grata”, ka shmangur dhe të gjitha takimet me të, ndonëse janë të bindur se realisht ai përcakton linjën politike të PD.
Nga SHBA dhe BE, pavarësisht gjuhës që Basha ka përdorur ndaj tyre, mesazhet direkte për të nuk kanë munguar.
Kjo u pa dhe ditën e sotme, vetëm 24 orë para skadimit të afatit të regjistrimit të koalicioneve në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Basha, si rrallëherë mesazhin e marrë nga partnerët tanë ndërkombëtarë e ka çuar seli më seli të partive aleate, duke filluar me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, e vijuar me kreun e PDIU, Shpëtim Idrizi.
Ndonëse për nesër opozita kanë shpallur listën e rrugëve që do të bllokojnë me protestën e saj, janë një numër i shtuar aksesh rrugore, mesazhi i vërtetë që ka përcjellë Basha te aleatët pritet të zbardhet shumë shpejt. Lëvizja e radhës do të jetë determinuese.
Një mesazh të tillë nga partnerët ndërkombëtarë e ka marrë dhe Edi Rama. Zgjedhjet vendore në tetor janë një opsion, bashkë me ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Jo më kot aleatët e Bashës, pas takimin me Sorecën kanë dalë në terren për sistemin./Pamfleti/