I braktisur nga Bardhi e deputetët e grupit të tij, Sali Berisha në hetim nga SPAK për kullat e dhëndrit, shfaqi vajzën e tij Argitën në Kuvendin Kombëtar ku u votëbesua si kryetar i partisë pa vulë, me 93% të votave pro, një rezultat i ngjashëm me ato të kohës së ish-diktatorit Enver Hoxha.
Ai miratoi dhe një rezolutë kundër drejtësisë. Videot nga Pallati i Kongreseve ishin provë e dukshme se Berisha sa vjen e humbet ndjeshëm terren.
Emrat e deputetëve që braktisën Berishën:
Deputetët që braktisën Berishën në Kuvend
1. Gazment Bardhi
2. Jorida Tabaku;
3. Dhurata Çupi;
4. Saimir Korreshi;
5. Lefter Geshtenja;
6. Zheni Gjergji;
7. Qani Xhafa;
8. Helidon Bushati;
9. Orjela Nebiaj;
10. Ramadan Likaj;
11. Xhelal Mziut;
12. Flamur Hoxha;
13. Bledion Nallbati;
14. Agron Gjekmarkaj;
15. Ferdinand Xhaferaj;
16. Andia Ulliri;
17. Ilda Dhori
Sali Berisha mblodhi sot Kuvendin Kombëtar të Rithemelimit ku pavarësisht humbjes së thellë në zgjedhjet vendore të 14 majit, u votëbesua njësoj si Enver Hoxha me 93.8% të votave në një Kuvend ku më së shumti ishin të pranishëm familjarë dhe përkrahës të tij. Në procesin e votëbesimit, ndonëse Berisha u rikonfirmua në krye të Rithemelimit me 93% të votave pro, mbi 200 delegatë që morën pjesë në Kuvend, refuzuan votimin, pra nga 1203 delegatë votuan vetëm 1000. Mes tyre, 938 pro dhe 55 kundër qëndrimit të tij në krye të rithemelimit.
Grupimi Bardhi dhe një pjesë e madhe e deputetëve dhe figurave demokrate me peshë, që publikisht e kanë mbështetur, e braktisën. Nuk pati as Ervin Salianjin një nga përkrahësit e aksionit opozitar të skenarit të bllokimit në Kuvend. E pikërisht, kjo është pika që dukshëm i ndan. “Bashkëpunimi në parlament, nuk do të thotë njohje defakto e Berishës kryetar”.
Nga videot e ambienteve të Pallatit të Kongreseve vetëm reshtat e parë ishin me delegatë, pjesa tjetër ishte bosh, provë e faktit të pakundërshtueshëm: Se Berisha sa vjen e humbet ndjeshëm terren.
Pas humbjes së thellë të 14 majit, Berisha nuk e mblodhi kuvendin vetëm për votëbesimin e tij. Në kushte të reja, të masës kufizuese nga GJKKO për korrupsion pasiv për aferën “Partizani”, Berisha konkretizoi në një rezolutë të gjithë sulmin që ka ndërmarrë publikisht kundër drejtësisë.
“Nga dita që unë refuzova bashkëqeverisjen me Edi Ramën, që mu propozua nga kryekëshilltarët e Lulzim Bashës, unë u dizenjova non-grata dhe sot kam një dhëndër të burgosur politik”
E në fakt, me masë “detyrim paraqitje” nga Gjykata e Posaçme e cila rrezikon t’i kthehet edhe në “arrest shtëpie”, pasi nuk e ka zbatuar, dhe me Gazmend Bardhin e 15 deputetët e tij që nuk i shkuan në Pallatin e Kongreseve pavarësisht se i ftoi, Berisha zgjodhi që në kuvend të shfaqë familjen e tij, gruan Liri Berishën, dhe vajzën e tij Argita Malltezi, bashkëshorti i së cilës është në arrest shtëpie për korrupsion pasiv e pastrim parash për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” në të cilin ndërtoi 19 kulla.
Pa përgjigje mbetet se kush e ka financuar këtë event në Pallatit të Kongreseve karriget e të cilit ishin gjysmë të boshatisura.
Nuk janë ditët më të mira’ tha Edi Paloka në fjalën e tij në podium.
“Mos na numëroni sa jemi, por lexoni idealet që kemi” e nisi fjalën Luciano Boçi.
Kush janë ambiciet e Argita Malltezit? Përgjigjet Berisha
Argita Malltezi duket se ka ambicie t’i hyjë politikës po a po projektohet ky plan?
Në ambientet e Pallatit të Kongreseve Berisha i pyetur nga gazetarët nëse vajza e tij do të bëhet pjesë e politikës, ai u shpreh se Argita Malltezi nuk është ndarë kurrë nga PD.
“Argita Malltezi mbajti një fjalim si shumë të tjerë aty. Argita Malltezi është një aktiviste e PD-së, që në ditët më të para të themelimit të saj, ka qenë studente. Në këtë kontekst, ajo nuk është ndarë kurrë nga PD.
Ky është fjalimi i parë publik i saj në kuvendet e partisë, por kjo nuk do të thotë asgjë më shumë sesa një fjalim në të cilin shprehu si aktiviste e PD-së, mendimet e veta.”, tha Berisha.
Në Kuvendin e Berishës kanë marrë pjesë 1203 delegatë, 4-fish më pak se në Kuvendin e 11 dhjetorit të 2021-shit, ku Rithemelimi deklaronte 4920 delegatë.