Turp dhe mjerim e ka konsideruar dje kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj deklaratën e Berishës se protesta e radhës do të jetë në datën 6 dhjetor ditë kur do të zhvillohet edhe samiti i BE-së me Ballkanin perëndimor dhe të gjithë liderët europianë do të vijnë në Tiranë për këtë samit.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Veliaj thotë se nëse dikush kishte dyshime se kush bën punën e rusëve në Shqipëri, protesta ditën kur në Tiranë vijnë liderët e Europës është prova më e qartë. “Nëse dikush kish dyshime se kush bën punën e rusëve në Shqipëri, ja ku e ka provën: proteste alla-Berisha kur Europa mblidhet në Tiranë! Sa turp! Çfarë mjerimi!
E çfarë diskreditimi epik e tradhtie ndaj demokratëve e ndaj sloganit “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, shkruan Veliaj. Ndërkohe dje edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar për protestën e paralajmëruar nga Sali Berisha ditën kur do të mbahet samiti i BE-Ballkanit Perëndimor në Tiranë. Një trup për Shqipërinë e ka cilësuar edhe Peleshi, ndërsa shkruan në rrjetet sociale se kjo është një protestë kundër BE-së.
“Një turp që nuk e meriton Shqipëria. Sot, kur Ballkani Perëndimor ka më shumë së kurrë nevojë për mbështetjen e BE dhe SHBA. Sali Berisha thërret protestë kundër BE, në ditën e samitit. Asgjë më shumë se sa kaq nuk do të bënte edhe Vladimir Putin nëse do të udhëhiqte opozitën shqiptare. Sidoqoftë këtë faturë nuk mund ta paguajë Shqipëria. Qëndrimi qytetar ndaj këtij turpi është detyrë e gjithsecilit. Së pari e pjesës së shëndetshme të PD”, shkruan Peleshi.