Në fjalimin e tij të përnatshëm nga maja e ballkonit, Sali Berisha ka përmendur ndër të tjera edhe kuzhinën e gazetares Desada Metaj.
“Ju u ngritët, morët kthesën shpëtimtare për PD-në, për opozitën shqiptare, për pluralizmin.
Ju lutem!
Imagjinoni për një moment në rast se ju, 44 mijë demokrate e demokratë që morët pjesë në referendumet e partisë, nuk do të kishit marrë kthesën, ku do të ishim ne sot.
Ku do të ishte PD?
Do të ishte një fasadë opozitë, vendimet për të cilën merreshin nga Balla e Brava në kuzhinën e Desadës, në takime të fshehta.
Por jo, dallimi mes jush dhe të tjerëve është i madh. Ju jeni njerëz të idealeve, të parimeve, të dinjitetit, ju nuk mund të shisnit për asgjë të vërtetën. Ju donit shumë Amerikën, Europën, por doni më shumë Shqipërinë, doni më shumë të vërtetën.
Ndaj dhe morët kthesën, kthesën shpëtimtare”, tha ai.
Pas kësaj, gazetarja Metaj ka reaguar me ironi, duke shkruajtur:
“Doktori paska përmend sot në fjalim kuzhinën e shtëpisë time.
E kuptoj që është mërzit duke dalë në ballkonin e shtëpisë së vet çdo natë, por për çdo rast mund t’i ofroj edhe ballkonin e shtëpisë sime.
Thjesht duhet të marrë leje në SPAK që të kalojë Bulevardin”.