Për të tretën herë pas vënies nën hetim për privatizimin e klubit sportiv, Partizani, ish- kryeministri i vendit, Sali Berisha do të paraqitet nesër në SPAK.
Ndryshimi është se të hënën në orën 10:00, ai do të shkojë, jo më për t’u marrë në pyetje, por në bindje të urdhrit të gjykatës që i ka caktuar atij masën e detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore.
Masa që e detyron kreun e PD të përballet dy herë në muaj me Prokurorinë, përkatësisht, të hënën e parë dhe të fundit të muajit, iu caktua në 3 janar me vendim të Apelit të Posaçëm nga gjyqtari Engert Pëllumbi. Dy prokurorët, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai kundërshtuan nxjerrjen nga izolimi të liderit demokrat në Gjykatën e Apelit.
Po nesër Sali Berisha do te presë vendimin e rëndësishëm, atë të vetë fatit të dosjes Partizani nëse do t’i nënshtrohet apo jo gjykimit. Vendimin nëse dosja Partizani do të kalojë apo jo në Gjykatën e Posaçme, do të jepet nga e njëjta gjyqtare që e nxori Berishën nga izolimi shtëpiak, Flojera Davidhi.
Në SPAK ai do të pritet nga mbështetës të Partisë Demokratike, që kanë paralajmëruar protestë në derën e prokurorisë në kundërshtim të hetimeve që po bëhen liderit të opozitës.
Si funksionar i lartë shtetëror që dyshohet se ka kryer korrupsion, Berisha është marrë i pandehur bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Ky i fundit, akuzohet edhe për pastrim parash.
I dyshuar, është edhe ndërtuesi, Fatmir Bektashi, që kreu punimet për 17 kullat në ish- kompleksin sportiv, Partizani dhe noterja, Andia Pustina.
Ndërkohë, ish-kryeministri ka mobilizuar militantët në një protestë para SPAK.
“Ditën e Hënë, në ora 09:30, të mobilizojmë të gjithë strukturat tona për të protestuar përpara SKAP-it, si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundërshtarët politikë. Do të jemi aty në mbështetje të së drejtës, ligjit dhe së vërtetës, që janë në anën e Kryetarit të PDSH-s Prof. Dr. Sali Berisha. Ora 09:30, përpara godinës së SKAP-it. Faleminderit!”, thuhet në mesazhin dërguar strukturave të PD.
Paralelisht me paraqitjen e Berishës në GJKKO zhvillohet seanca paraprake për dosjen e aferës Partizani, ku gjyqtarja Davidhi pritet të vendosë kalimin apo jo për gjykim, që do ta bënte Berishën zyrtarin më të lartë të shtetit shqiptar në 34 vite demokraci, që del në një proces gjyqësor si i pandehur zyrtarisht për korrupsion.
Masa e sigurisë për Berishën u rikthye më 3 janar 2025 nga gjyqtari i Apelit të Posaçëm, Engert Pëllumbi. Kujtojmë që masa e parë detyrim paraqitjeje të dhënë më herët nga gjyqtarja Irena Gjoka, nuk u zbatua nga Berisha, gjë që detyroi SPAK të kërkonte ashpërsimin e masës në arrest në shtëpi”, duke përfunduar kështu për 11 muaj në arrest shtëpie, që nga 30 dhjetori 2023 deri në 27 nëntor 2024.
Berisha është marrë i pandehur për dosjen ‘Partizani’, për të cilën SPAK e akuzon se me një sërë veprimesh i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i pandehur gjithashtu.
Të pandehur në aferën Partizani janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja orataku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.