Kryeministri Rama ka bërë dje një reagim lidhur me konfirmimit të shpalljes Non Grata ndaj Sali Berishës nga Britanisë së Madhe. Rama e ka “kursyer” Berishën me një koment të thjeshtë përbri veprës së Enverit.
“Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë. “No comment”, shkruan Rama. Po ashtu, edhe ministrja e marrëdhënieve me Parlamentin, Elisa Spiropali ka ironizuar përgjigjen e Berishës për shpalljen “Non Grata”. “Shpif Amerika shpif Anglia, kurse Nona e Shpifjes, e kokave të krimit e të korrupsionit dhe e intrigave e pabesive më të zeza të 30 vjetëve të fundit, goja më e shthurur e shqipes qysh prej Mesharit të Gjon Buzukut, thotë vetëm të vërtetën e kulluar!
Sa turp”, shkroi Spiropali në rrjetet sociale. Ndërkohë Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka reaguar dy ditë më parë ndaj qëndrimit të Britanisë për të ndërmarrë një aksion të rëndësishëm ndaj politikanëve shqiptarë të lidhur me krimin dhe korrupsionin. Kim mirëpret vendimin e Britanisë së Madhe si dhe thekson se askush nuk është mbi ligjin.
“Ne e mirëpresim këtë veprim të rëndësishëm. Ata që kanë abuzuar me besimin e publikut për të pasuruar veten dhe për të shtrembëruar sundimin e ligjit – me fjalë të tjera, ata që janë përfshirë në korrupsion të madh dhe minuar demokracinë – duhet të përballen me drejtësinë. Askush nuk është mbi ligjin”, nënvizoi ambasadorja Kim.