Sali Berisha thotë se ka marrë shumë kërkesa nga qytetarët që të rikthehet në krye të vendit. Ai thotë se këtë fakt e ka vënë re gjatë takimeve të Foltores së tij me demokratët përgjatë një muaji nëpër qytete të ndryshme të vendit.
Në një konferencë shtypi mbrëmjen e së mërkurës, Sali Berisha tha se nuk mund ta injorojë këtë thirrje, por gjithashtu do të respektojë edhe çdo vendim që merret me votë nga demokratët.
“Ka një kërkesë masive për rikthimin e Sali Berishës. Gjë të cilës unë nuk i rezistoj, e pranoj si detyrim. Por në çdo moment që demokratëve nuk ju duket e arsyeshme, unë e pranoj. Le të dali Edi Rama në një debat televiziv me Sali Berishën. Janë mërzitur njerëzit.
Njerëzit duan debatin e lirë. Çfarë ofron Foltorja? Ofron fjalën e lirë të njerëzve të lirë, gjithçka në rrafshin moral. Pse është bërë kaq tërheqëse, entuziazmuese? Pikërisht fjala e lirë nga njerëz të lirë”, tha Sali Berisha.