Nën akuzë dhe i pandehur nga SPAK prej më shumë se një viti për aferën në dosjen “Partizani”, Sali Berisha ka ngritur gjithë PD-në në këmbë që t’i mbushin mendjen shqiptarëve se Donald Trump do t’ia heqë ‘non gratën’.
Mirëpo, sot Berisha në një komunikim me ndjekësit e tij në rrjetet sociale akuzoi dhëndrin e Trump se po përdoret nga Edi Rama përmes projektit në Sazan. Sipas Berishës, kjo e gjitha po ndodh për të blerë influenca politike, pra Rama përmes dhëndrit të blejë Trumpin.
“Prej të paktën që nga viti 2001 gjer sot, Sazani iu është ofruar biznesmenëve të huaj në mënyrë periodike. Kjo është oferta e radhës, të cilën pa diskutim Edi Rama e bëri për të blerë influenca politike.
Por, nëse oferta plotëson rregullat ligjore, ne kemi deklaruar se nuk kundërshtojmë ofertat që bazohen në respektimin e ligjeve dhe rregullave të vendit”, tha Berisha.
Gjithashtu ai komentoi uljen në gjunjë të Ramës ndaj Melonit, duke e quajtur “teatralitet i neveritshëm”, duke nënvizuar se Rama është i aftë të bëjë gjithçka për pushtet.
“Teatralitet i neveritshëm. Por mos u çudisni të marrë çdo vendim, të kryejë çdo gjest, të bëjë gjithçka për pushtetin e qeverisë”, tha Berisha.